Kategoria Superiore

Tirana-Skënderbeu, sfida që ka prodhuar gjithmonë rivalitet dhe spektakël

Tirana-Skënderbeu është destinuar të jetë një duel mes atij klubi që ka mbretëruar për pjesën më të madhe futbollin shqiptar dhe “princit” që u kthye në “perandorin” e kampionatit në dekadën e  fundit.

Bardheblutë prej gati 9 vitesh e kanë humbur rrugën drejt fronit dhe situata nuk ka shfaqur shenja përmirësimi as në këtë edicion, të paktën sa i përket rezultateve. Dorëheqja e Memës ishte më shumë se sa thjesht një meditim apo deklaratë e ndikuar nga emocionet, por për mometin trajneri ka vendosur të mos e braktisë “anijen”. Ndërpreja e kampionatit erdhi si një “varkë shpëtimi” për 24 herë kampionët, sepse i ka lejuar teknikut të rekuperojë pjesën më të madhe të lojtarëve të dëmtuar, teksa projektohen disa ndryshime në formacionin titullar.

Ndërkohë që tek Skënderbeu e kanë të qartë se gabimi më i madh që mund të kryejnë është të nënvlerësojnë Tiranën. Me apo pa probleme, badheblutë nuk kanë qenë asnjëherë një rival mbi të cilët korçarët mund të shëtisnin lehtësisht, mjafton të përmendet sfida e fazës së parë e cila u mbyll në barazim 1-1, madje në atë takim bardhekuqtë e panë veten në disavantazh.

Nëse ka një motiv për të buzëqeshur tek kampionët në fuqi ai motiv lidhet ngushtë me mënyrën sesi ky ekip ka reaguar pas disfatave. 5 fitore pasuan humbjen përballë Teutës, një tjetër sukses i rëndësishëm ndaj Flamurtarit erdhi menjëherë pas disfatës me Laçin, një shenjë e karakterit të kësaj skuadre, megjithatë dueli me bardheblutë është një tjetër çështje. Nuk ndajnë të njëjtin qytet, as nuk cilësohet si supersfida më e madhe e kampionatit shqiptar, megjithatë Tirana-Skënderbeu është në shumë aspekte një duel i denjë për t’u etiketuar me emrin “derbi”.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency