Kategoria Superiore

Tirana, “të voglat” problem, kryesimi i kërcënuar 

6 pikë avantazh të reduktuara në vetëm 1 brenda dy javësh, Tirana që dukej shumë pranë një arratisjeje në krye të klasifikimit, ndien fort nga pas dihatjen e Kukësit që tani kërcënon seriozisht bardheblutë. Disfata 2-1 në përballjen direkte, dhe barazimi pa gola me Skënderbeun, i kombinuar me një tjetër sukses të verilindorëve ndaj Egnatias ka rritur presionin mbi kampin e Orges Shehit.

Ndaj Skënderbeut ishte një Tiranë e vakët, pa grintën dhe kthjelltësinë që kanë shfaqur bardheblutë deri para pak javësh. Kjo ishte sfida e parë në këtë kampionat ku Tirana nuk shënon të paktën një gol, diçka që kishte ndodhur më parë në këtë sezon, vetëm në sfidën e parë të Kupës me Dinamon. Lodhje e skuadrës që ndërkohë nuk po arrin të shfaqë armën ndoshta më të fortë të bardhebluve, sulmin.

Me Xhixhën të dëmtuar dhe jo në dispozicion, ndihet më tepër mungesa e golit nga Majkëll Ngoo. Gjigandi me pasaportë angleze nuk shënon që nga sfida e parë e këtij kampionati, prej plot 9 javësh, duke u shfaqur edhe fizikisht larg formës që e bënte të konsiderohej si një ndër sulmuesit më të frikshëm të kampionatit në vitin e titullit.

Me vetëm një pikë diferencë ndaj verilindorëve, Tirana i drejtohet dy sfidave të radhës, që luhen sërish ndaj skuadrave të zonës së poshtme të klasifikimit, bardheblutë udhëtojnë fillimisht drejt Rrogozhinës për tu përballur me Egnatian, ndërsa më pas presin Kastriotin, takime ku ka lënë pikë në të dyja ndeshjet e fazës së parë që kanë përfunduar në barazim 1-1, që duke i shtuar edhe barazimin e fundit  me Skënderbeun i kanë konfirmuar kryeqytetasit si skuadra që kanë shpërdoruar më shumë ndaj kundërshtarëve ndaj të cilëve kanë qenë favoritë në letër.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency