Tirana, tjetër provë pas Laçit për “blindimin” e kreut
Pas provës autoritare ndaj Laçit, Tirana përballet me Teutën në një tjetër sfidë delikate për bardheblutë, për klasifikimin, por edhe për faktin se është kjo ndeshja që i paraprin derbit të madh të fundjavës me Partizanin, ku duhet shkuar me shpirtin e duhur.
Në sfidën me kurbinasit skuadra e Orges Shehit shfaqi anën e saj më të mirë, pasi i mjaftoi një pjesë për të mbyllur sfidën me ata që konsideroheshin si rivalët më të kuotuar për titullin, dhe ndaj Teutës do të duhet i njëjti motivim, cinizëm dhe shpirt gare për të evituar një hap fals që mund të kushtojë.
Bregdetarët vijnë pas barazimit me Kukësin, dhe skuadra e Renato Arapit është në një moment pozitiv, pasi me 4 pikë në dy ndeshjet e fundit kanë fituar pak qetësi për sa i përket klasifikimit me një distancë 5 pikëshe nga vendi i tretë nga fundit që të çon në play off, dhe mbi të gjitha për karakteristikat që ka mund ti hapë shumë punë bardhebluve falë elementëve cilësorë që ka në organikë.
Për Tiranën vlen vetëm fitorja, për të mos shpërdoruar atë sukses me peshë ndaj Laçit, me bardheblutë që synojnë të shfrytëzojnë momentin e mirë për t’i dhënë vazhdimësi marshit drejt titullit kampion.
Skuadra e Shehit po shfaq një mbrojtje solide dhe sulm vrasës, me Xhixhën dhe Seferin që merren vesh me sy mbyllur dhe kanë shumë kimi në fushë. Shqetësim përbën për Orges Shehin pikërisht ish lojtari i Laçit, me Xhixhën që pësoi një lëndim në sfidën me kurbinasit dhe nuk është në 100% ashtu si dhe Ismailgeci që vetëm së fundmi ka zhvilluar stërvitjen me grupin.
Teuta ndërkohë kërkon fitoren e parë ndaj bardhebluve në këtë sezon, duke qenë se i ka humbur të dyja sfidat e mëparshme, ku në total janë prodhuar 8 gola.



