Tirana zbarkon në Antalia, priten Muguna dhe Muhamedi
Tirana ka zbarkuar në Antalia, aty ku bardheblutë do të vijojnë përgatitjet për fazën e dytë të sezonit deri në datën 25 janar. Kushte komode dhe fytyra të qeshura për skuadrën që këtë sezon synon rikthimin në elitë si dhe trofeun e Kupës së Shqipërisë. Toni Maveje ka lënë Ugandën për t’u bashkuar me grupin, që ka qenë i plotë me përjashtim të Sentamu. Kryegolashënuesi i bardhebluve pritet të bashkohet me skuadrën këtë të hënë. Dy seancat e para stërvitore janë kryer nën drejtimin e zv/trajnerit Marko Aurelio, me Ze Marian që ka mbërritur në Turqi për të marrë komandën e skuadrës këtë të dielë. Natyrshëm, në seancat e para theksi është vënë te përgatitja fizike e grupit, ndërkohë që Tirana ka fiksuar tanimë edhe dy takime miqësore me FC Tobol, skuadër nga Kazakistani, më 18 janar, ndërsa dy ditë më pas do të përballet me rusët e Khabarosk. Pritet edhe zyrtarizimi i një miqësoreje të tretë për të kompletuar programin deri në 25 janar. Ende nuk ka një datë të saktë ndërkohë për afrimin e dy futbollistëve të siguruar në merkato, Kenet Muguna, për të cilin është e hapur një çështje me skuadrën e Gor Mahia, dhe Musa Muhamedi, me Tiranën që i duhet të kompletojë dokumentacionin për transferimin e dy futbollistëve në mënyrë që të bashkohen me bardheblutë për t’u vënë nën urdhërat e Ze Marias.



