Titulli, çështje kohe për Tiranën/ “Luftë” për zonën europiane dhe mbijetesën
Abissnet Superiore është futur në ethet e fundit, me verdiktet finale të sezonit që janë shumë pranë. Titulli kampion është një çështje kohe për Tiranën, ndërsa frontet e tjera janë të hapura dhe ende “luftohet”.
Zona europiane mban të karikuar katër skuadra. Laçi, Kukësi, Partizani dhe Vllaznia janë ende në garë, ndërsa shkodranët dhe kurbinasit mund të prekin Europën edhe nëpërmjet Kupës, nëse dështojnë në kampionat. Shumë luhatje në javët e fundit, me skuadrat që kanë “stonuar” duke krijuar një ngjeshje pas Tiranës. Laçi pozicionohet si forcë e dytë me 50 pikë dhe diferenca me Vllazninë e vendit të pestë është nëntë pikë, shtatë javë nga fundi. Kurbinasit janë disi më të qetë duke pasur në avantazh edhe një diferencë sigurie nga rivalët, plus pesë pikë dhe qëndron në vend të dytë, por diçka të tillë nuk e ka Kukësi, që nuk fiton prej katër javësh dhe tani Partizani e Vllaznia janë akoma dhe më pranë vendit të tretë.
Në një moment të tillë, skuadrat bëjnë edhe llogaritë. Java e 30-të do të jetë shumë vendimtare për këtë zonë, pasi Kukësi pret në shtëpi Laçin dhe Vllaznia do të masë forcat në Shkodër me Partizanin. Gjithsesi, kur kampionati të ketë përfunduar, shansi i fundit do të jetë edhe Kupa, sepse, nëse fituesi i kupës e ka siguruar Europën në kampionat, vendi i katërt do të përfitonte një biletë për kompeticionet europiane.
Në pjesën e dytë të klasifikimit, Kastrioti ka një hap tjetër nga kundërshtarët, madje krutanët mbajnë statusin e skuadrës më në formë të momentit. Ekipi i Çelës në horizont sheh edhe Europën, pasi matematika ia lejon, ashtu si edhe forma. Megjithatë, në një sezon të tillë, krutanët janë një prej skuadrave që objektivin primar dhe madhor kanë mbijetesën.
Me formën e dobët të Skënderbeut dhe Dinamos, që janë javë pas jave akoma dhe më afër me Kategorinë e Parë, duket se gara është spostuar për të evituar vendin e tetë, zonën “Play-Out”. Egnatia pozicionohet në këtë pozicion, me rrogozhinasit që kanë një diferencë prej tetë pikësh me Dinamon.
Kastrioti, Teuta dhe Egnatia janë në garë me njëra-tjetrën për të evituar zonën e “Play-Out”, me skuadrat që ndahen nga gjashtë pikë. Kampionët në fuqi të Shqipërisë dhe Egnatia kanë pësuar luhatje në javët e fundit, moment të cilin, Kastrioti e shfrytëzoi në maksimum për t’i parakaluar në renditje. Për këto tre skuadra, çdo takim i mbetur është si një finale, pasi gabimi më i vogël kushton shumë. P
ër t’u rikthyer te Dinamo dhe Skënderbeu, dy skuadra që për momentin nuk japin shpresë, me kryeqytetasit që në 5 javët e fundit nuk kanë shijuar asnjë pikë, ndërsa korçarët kanë dhënë “shenja jete” vetëm me disa barazime, por që në këtë moment nuk shërbejnë shumë për të ndihmuar Skënderbeun që të rifutet në garë për mbijetesën. Gjithsesi, matematika për momentin mban në lojë edhe dy vendet e fundit, ashtu si të gjitha skuadrat, që tani kërkojnë të realizojnë objektivat sezonal.



