Futboll

Tjetër arritje për Pacult, rikthen Austria Klagenfurt në Bundesligë

Ish-trajneri i Kukësit, Peter Pacult, ka realizuar një ndër kryeveprat e karrierës së tij si trajner, pasi ka arritur të ngjitë në Bundesligën austriake klubin Austria Klagenfurt.

61-vjeçari,i cili e drejtoi Kukësin për 6 muaj në vitin 2018, e kishte marrë drejtimin e Klagenfurtit në janar të këtij viti, me synimin për ta rikthyer në garë për vendet e kreut, pas një pjese të parë të sezonit larg pritshmërive.

Ne sezonin e rregullt Pacult pati një ecuri të shkëlqyer, sepse fitoi 12 nga 17 ndeshjet e luajtura, çka e lejoi të parakalonte rivalin Wacker Tirol në javën e fundit të sezonit, duke marrë vendin e tretë, që vlente ndeshjet play off për ngjitje në Bundesligë. Në play off Klagenfurt u përballë me ekipin e Bundesligës St.Polten, që natyrisht nisej favorit, duke qenë një kategori më lart.

Megjithatë, Pacult bëri gjithçka në mënyrë perfekte, sepse ekipi i tij fitoi 4-0 ndeshjen e vajtjes dhe këtë të shtunë fitoi edhe në St.Polten 1-0.
Ne këtë mënyrë, Pacult i kthehet Bundesligës austriake, aty ku ka fituar titullin kampion si lojtar e trajner, ndërkohë që me Klagenfurt grumbulloi 2.2 pikë për ndeshje, rekord në karrierën e tij.

Ndoshta një leksion që duhet ta ketë marrë edhe Kukësi, që e largoi shumë shpejt, ndërkohë që me shumë mundësi ndihen të keq-ardhur edhe tek Laçi, sepse verën e shkuar trajneri austriak dha miratimin për kthimin në Shqipëri, por bëri prapakthehu në momentin e fundit, për arsye familjare, duke qenë kulmi i pandemisë botërore.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency