Tjetër gol i Zenelit, Reims barazon 1-1 në fushën e Dijonit
Arbër Zeneli duket se është përshtatur më së miri te skuadra e Remis në Ligue 1, ku ka gjetur golin e dytë që nga mbërritja e tij në Francë në muajin janar.
“Ylli” i Përfaqësueses së Kosovës shënoi në minutën e nëntë ndaj Dijonit, duke kaluar kështu skuadrën e tij në epërsi. Por nuk kaloi shumë dhe vendasit barazuan rezultatin në minutën e 13-të me anë të Naim Slitit, që shënoi nga pika e bardhë e penalltisë.
Ky ishte goli i dytë në kampionat për Zenelin, që ka dhënë edhe tre asiste.
24-vjeçari iu bashkua klubit francez nga Heerenveeni në janarin e 2019-ës për katër milionë euro, duke nënshkruar kontratë 5-vjeçare.



