Tjetër lojtar i akademisë afrohet në ekipin e parë të Kukësit
Kukësi vazhdon t’u kushtojë vëmendje të rinjve të perspektivës, që jo vetëm nuk u rëndojnë arkave të klubit por mund të sigurojnë të ardhura me shitjen e tyre. Në orët e vona të kësaj të hëne, klubi verilindor ka zyrtarizuar marrëveshjen me 18-vjeçarin Eogen Sula, pasi ky i fundit bindi në stërvitje trajnerin Longo:
Njoftimi i Kukësit:
“Futboll Klub Kukësi njofton se mesfushori Eogen Sula është zyrtarisht futbollist i skuadrës sonë. Talenti 18-vjeçar ka firmosur ditën e sotme me klubin një kontratë trevjeçare duke u bërë kështu futbollisti më i ri në skuadër.
Talenti kuksian vazhdon në këtë mënyrë ruajtjen e traditës të afrimit të lojtarëve nga Kukësi në ekipin e parë. 18-vjeçari i lindur në Kukës, është prodhim i ekipeve zinxhir të klubit tonë dhe pas një prove disa itore me ekipin e parë ka bindur stafin teknik, duke firmosur kontratën për skuadrën e vendlindjes së tij.
Klubi i Kukësit i uron shumë suksese mesfushorit Sula me fanellën e ekipit tonë. Mirë se vjen Eogen!
“Të luaj me ekipin e Kukësit, për mua personalisht shënon dy arritje: e para, që më bën krenar, është fakti që luaj për vendlindjen time, ndërsa e dyta është që jam pjesë e një klubi të madh në Shqipëri. Kukësi ka treguar gjithmonë që është një klub që arrin rezultate dhe të jep mundësi të luash me emra të mëdhenj.
Natyrisht që fanella e Kukësit më rrit motivimin dhe dëshirën për të pasur suksese dhe për të kënaqur tifozët e mrekullueshëm që kemi. Do të bëj përpjekje maksimale për të ndihmuar ekipin dhe premtoj se do të përpiqem deri në momentin e fundit të jap gjithçka nga vetja. Forca Kukësi!”, – tha Sula në prononcimin e parë si futbollist i ekipit të parë të Kukësit.”



