Tjetër rinovim te Interi, zbulohen shifrat e kontratës së re të mesfushorit
Interi vijon të blindojë futbollistët që janë pjesë e rëndësishme e projektit dhe pas firmës me Lautaro Martinez, bisedat janë drejt fundit edhe për zgjatjen e kontratës me mesfushorin Nicolo Barella.
Ky i fundit po luan sezonin e tretë si titullar me zikaltrit dhe ka kontratë deri në verën e 2024-ës, megjithatë palët kanë negociuar zgjatjen deri në verën e 2026-ës, me një përmirësim të ndjeshëm edhe të pagës vjetore të tij.
Sipas mediave italiane, tashmë mes palëve është arritur akordi për kontratën e re, e cila parashikon një rritje të vazhdueshme nga viti të vit të pagës së Barellës, për të shkuar në pak më tepër se 5 milionë euro neto në sezon, duke nisur nga vera e 2024-ës.
Edhe njeriu i merkatos te Interi, Piero Ausilio paralajmëroi se me përfaqësuesit e Barellës janë duke u sistemuar detajet e fundit dhe firma mbi kontratën e re pritet të vijë para derbit ndaj Milanit, në mënyrë që mesfushori të ketë një tjetër motiv për të dhënë maksimumin si gjithmonë.



