Tjetër zhgënjim për Romën, skuadra e rënë në Serinë B i merr pikë në “Olimpico”
Tjetër rezultat zhgënjyes për Romën në Serinë A. Skuadra verdhekuqe, finaliste e Conference League-s, barazoi 1-1 në javën e parafundit të kampionatit italian përballë Venezias në “Olimpco”. Kuptohet që e gjithë vëmendja e të besuarve të Mourinhos është e përqendruar te finalja e Tiranës me Feyenoordin, por barazimi me ekipin e rënë tashmë në Serinë B mbetet zhgënjyes.
Miqtë e zhbllokuan rezultatin pa përfunduar minuta e parë me Okereken, ndërsa në minutën e 32-të Kiyine u ndëshkua me karton të kuq, me ekipin e Mourinhos që luajti për pjesën më të madhe të ndeshjes në superioritet numerik.
Verdhekuqtë mundën të barazonin në të 76-tën me Shomurodov, por vetëm kaq, Venezia rrëmbeu pikën në “Olimpico”, që nuk vlen për asgjë, ndërsa Roma rrezikon edhe vendin e gjashtë nëse nuk fiton në fushën e Torinos në javën përmbyllëse të Serisë A.



