Tonali: Si Pirlo më bëjnë vetëm flokët, idhull kisha Gattuson
Në Itali i kanë vënë etiketën “Pirlo i ri”, por nuk është ish-mefushori i Juves, Milanit dhe Interit frymëzuesi i tij. Nëse Juventusi duket se është klubi që po interesohet më seriozisht mesfushorin e Brescias dhe të Italisë, Sandro Tonali ka simpati të veçantë për Milanin.
“Po, edhe Gennaro Gattuso ishte idhulli im. Sot frymëzohem nga Luka Modric, në mesin e lojtarëve. Më krahasojnë me Pirlon? Është faji i flokëve… Nuk më shqetëson ky krahasim. Të kesh ngjashmëri është një gjë, por në fushë është gjithçka ndryshe. Pirlo kishte cilësi të çmendura. Unë nuk e di se kush do ta arrijë atë”.
Midis fushës dhe merkatos, futbolli tani është me shumë të panjohura. Kjo vlen për lojtarët normalë, lëre pastaj për ata që, si Sandro Tonali, në kushte normale, me siguri do të kishin qenë në qendër të negociatave të ndryshme.
“Nuk mendoj për merkaton, nuk më intereson, të paktën jo tani. Nuk flas kështu vetëm për kortezi. Jam i interesuar ta përfundoj më së miri sezonin, sepse ndiej se kam akoma shumë për t’i dhënë Brescias. Dua t’ia shpërblej, sepse Brescia besoi tek unë. Pastaj, do të shohim. Presidenti Cellino thotë se nuk më shet as për 300 milionë? Ai më do si të më kishte djalë. Edhe unë e dua shumë. Gjithmonë më jep këshilla të rëndësishme. Pavarësisht shifrave që përfliten, unë jam gjithmonë mjaft i qetë. Kjo është cilësia ime e fortë”.



