Champions League

Torassa: Luajmë gjithë vitin për ndeshje si kjo, besoj te kualifikimi

Tirana para provës Champions, por edhe një shansi të artë për të gjithë lojtarët bardheblu për të treguar vlerat e tyre në skenën më të rëndësishme të futbollit për klubet.

Të paktën kështu e shikon Agustin Torassa, një prej 4 fantastikëve të sulmit që ishte ndoshta çelësi kryesor në arritjen e titullit kampion. Për argjentinasin që foli para nisjes për në Gjeorgji, Dinamo e Tbilisit dhe muzika e Champions, shërbejnë si një stimul më shumë.

“Jemi në situatën ku dëshiron të jetë çdo lojtar, të luash këto lloj ndeshjesh dhe të jesh në Champions. Luajmë gjithë vitin për të qenë kampionë dhe për të luajtur ndeshje si kjo, ndaj edhe mendojmë vetëm për të marrë një rezultat të mirë. Ata kanë një skuadër të mirë, e kemi parë se si luajnë, por kam besim te ky grup. Mendoj se nëse bëjmë atë që kemi bërë në pjesën më të mirë të kampionatit, mund ta fitojmë qetësisht ndeshjen”, ui shpreh argjentinasi.

Në epokën e futbollit post-Covid, kualifikimi luhet në një ndeshje teke dhe fati e deshi në Tbilisi, një faktor jo pa peshë për Torassën, por ja aq sa të zbehë vetëvlerësimin bardheblu.

“Është gjithmonë më mirë të luash në shtëpi dhe në këtë pikë ata janë pak të avantazhuar, por nuk do të jetë e lehtë për ta të mposhtin Tiranën, pasi siç e thashë, kam besim te kjo skuadër. Shpresojmë të jemi në një ditë të mirë dhe të kthehemi në Shqipëri me një rezultat pozitiv”, tha Torassa.

Tirana nis aventurën europiane pa disa lojtarë të rëndësishëm që mbyllën sezonin, pasi nuk do të jetë Doka, po ashtu edhe dy sulmuesit Dunga e Ngo’o. Megjithatë për Torassën Tirana ka cilësinë për të zëvendësuar denjësisht këta emra, edhe në detyrën e gjetjes së golit.

“Kemi në skuadër lojtarë që kanë shënuar këtë sezon. Kemi Bathën, Kale, Cobbinah, por do të jem edhe unë. Ne jemi një skuadër ku çdo lojtar mund të shënojë. Është e vërtetë që ka lojtarë që janë larguar, por mendoj se çdokush që ndodhet në këtë skuadër, është këtu se e meriton
dhe mund të zëvendësojë çdo lojtar që është larguar”, u shpreh fantazisti i bardhebluve.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency