Tottenham, ‘e fundit e të mëdhave’, që do të tentojë të ndalë City-n
Tottenham është skuadra e fundit e madhe në Premier League që nuk është ndeshur ende me Manchester Cityn, gjë të cilën do ta bëjë pasditen e sotme, në orën 18:30 në ‘Etihad Stadium’. Skuadra e Guardiolës i ka bërë një start monstruoz sezonit futbollistik, teksa në 17 takime në Premier League ka marrë vetëm 1 barazim dhe 16 fitore, 15 prej të cilave radhazi.
Edhe në Champions, Manchester City siguroi kualifikimin si skuadra e parë e grupit, duke fituar të 5 takimet e para në grup dhe humbur të fundit, atë të parëndësishmin ndaj Shakhtar Donetskut.
Liverpooli, Arsenali, Chelsea dhe Manchester United, i janë dorëzuar njëra pas tjetrës skuadrës së Guardiolës, duke mos arritur t’i shkëputin asnjë pikë. Sot është radha e Tottenhamit të Pochettinos, që të tentojë të vërë në vend nderin e skuadrave që cilësohen si të mëdha në Premier League, duke i marrë minimalisht një barazim skuadrës së Guardiolës.
Manchester City kryeson bindshëm kampionatin anglez me 49 pikë, 11 më tepër se Unitedi ndjekës, diferencë mjaft e madhe kur mendon se nuk kemi mbërritur ende në mes të sezonit. Makineria e krijuar nga Guardiola funksionon në mënyrë perfekte dhe tani trajneri spanjoll do të synojë të thyejë rekordin e tij personal me 19 fitore radhazi, kur drejtonte Bayernin e Mynihut.
Nga ana tjetër, londinezët e Tottenham kanë plot 18 pikë më pak se ‘qytetarët’ dhe kanë si objektiv sigurimin e një vendi në Champions, ku duhet të luftojnë fort me skuadra si Liverpool, Arsenal, Chelsea dhe United.
Supersfida e javës së 18 të Premier Leagues do të transmetohet live në Supersport 4 dhe minutë pas minute në supersport.al



