Tottenhami bën “harakiri” me Wolves, Leicesteri mposhtet nga Cardiffi
Humbje e papritur e aq më tepër me përmbysje e Tottnehamit 1-3 në “Wembley” ndaj Wolves. Skuadra e drejtuar nga Mauricio Pochettino, ndoshta e dehur nga dy fitoret e fundit me goleada (5-0 me Bournemouthin dhe 2-6 me Evertonin), dështoi të merrte pikë përballë një kundërshtari ndjeshëm më inferior, duke humbur mundësinë për ta siguruar vendin e dytë për 2018-ën pa qenë nevoja të priste rezultatin e takimit Southampton – Manchester City (Citizens kanë 44 pikë, 1 më pak se Spurs-at).
Londinezët kaluan në epërsi që në minutën e 22-të me të zakonshmin Harry Kane, duke dhënë përshtypjen se do të arrinin një tjetër fitore të thjeshtë, pse jo me goleadë, por Spurs-at u shthurën në pjesën e dytë, duke u ndëshkuar me tre gola me autorë Boly, Jimenez dhe Costa. Një shuplakë e rëndë kjo për Tottenhamin, që gaboi atëherë kur nuk i falej.
Fitoi me Chelsea-n dhe Manchester City-n, por u mposht nga Cardiffi 0-1 brenda në “King Power Stadium”. Leicester City, “mrekullia” e futbollit anglez pak vite më parë, u tregua e skuadër e madhe me të mëdhatë, por e vogël me ekipin uellsian, që luan për mbijetesë. Golin e vetëm të takimit e shënoi Camarasa në kohën shtesë. Kujtojmë se Maddison humbi një 11-metërsh për Leicesterin në minutën e 75-të. Në takimet e tjera u arritën këto rezultate:
Brighton – Everton 1 – 0
Fulham – Huddersfield 1-0
Watford – Newcastle 1-1



