Tottenhami fiton me goleadë, tregolësh i brazilianit Lucas
Tottenham Hotspur e pati të thjeshtë fitoren në takimin e shtëpisë me Huddersfieldin, prej disa javësh i rënë zyrtarisht nga kategoria. Në mungesë të Harry Kane, i dëmtuar në përballjen e Championsit me Manchester City-n, rolin e protagonistit për londinezët e mori përsipër braziliani Lucas Moura, që realizoi 3 nga 4 golat e skuadrës së tij, që fitoi thellë 4-0.

Në fakt, takimi i zhbllokua që në minutën e 24-t nga Wanyama, ndërsa ish-futbollisti i PSG-së realizoi të dytin për vendasit vetëm tre minuta më vonë. Në fund të ndeshjes, Lucas e gjeti edhe dy herë të tjera rrjetën, duke marrë në shtëpi topin e ndeshjes. Me këtë sukses Tottenhami ngjitet në vendin e tretë me 67 pikë, 1 më shumë se Chelsea. Në takimet e tjera u arritën këto rezultate:
Brighton – Bournemouth 0-5
Burnley – Cardiff 2-0
Fulham – Everton 2-0
Southampton – Wolves 3-1



