Futboll

Dramatike, Gremio fiton por bie nga kategoria për herë të 3-të në histori!

Fitorja ndaj kampionëve të saposhpallur të Brazilit, Atletico Mineiros me rezultatin 4-3 nuk i mjaftoi Gremios për të evituar rënien nga kategoria në Brazil. Skuadra nga Porto Alegre e cila në 2017-ën u ngjit në majën e futbollit amerikano-jugor duke fituar për herë të 3-të në histori Copa Libertadores preku fundin dhe sezonin e ardhshëm do t’i duhet të garojë në Serinë B braziliane pasi e mbylli kampionatin në vendin e 17-të me 43 pikë. Gremios i duhej të fitonte sfidën e saj ndaj Atletico Mineiros gjë që e realizoi por në të njëjtën kohë që të shpëtonte skuadra e trajnerit Vagner Mancini duhej që Bahia e cila u mposht nga Fortaleza me shifrat 2-1 por edhe Juventude që fitoi 1-0 ndaj Corinthias të humbisnin sfidat e tyre respektive. Kjo ishte rënia e tretë në histori për skuadrën tricolor pas atyre të viteve 1991 dhe 2004.

Gremio që numëron dhe dy tituj kampion në Brazil dhe që në këtë sezon kishte në gjirin e saj një emër të madh si Douglas Costa i cili luante i huazuar nga Juventusi por edhe ishin e Bayernit Rafinha tashmë 36-vjeçar, bëri detyrën përballë Atletico MG duke realizuar tre gola të shpejtë në harkun e 20 minutave të para me Souzan që shënoi dy herë dhe Campaz. Megjithatë Atletico MG që vëmendjen e kishte te finalja e së dielës ndaj Athletico Paranaense në Kupën e Brazilit rihapi sfidën me golat e ishit të Interit dhe Romës Dodo, sulmuesit të përfaqësueses kiliane Edoardo Vargas brenda pjesës së parë. Në fillimin e së dytës në katedër u ngjit Douglas Costa që shënoi golin e tij të 3-të me Gremion në këtë sezon ndërsa në fund për kampionët e Brazilit shënoi edhe Hyoran. Në fund pas vërshëllimës së trefishtë të gjyqtarit në Arena do Gremio pavarsisht fitores pllakosi heshtja dhe u derdhën lot, për një rënie nga kategoria të paparashikuar të një prej skuadrave më emblematike të futbollit brazilian.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency