Trajneri i Kosovës, Giresse: Vlerësoj entuziazmin e futbollistëve në stërvitje!
Trajneri i ri i Kosovës, Alain Giresse foli në konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme miqësore që Dardanët luajnë ndaj Burkina Faso. Francezi theksoi se do të mundohen të aktivizojnë sa më shumë lojtarë në mënyrë që të kenë një ide për ndeshjet zyrtare në vijim, ndërsa shtoi se e vlerëson shumë entuziazmin e futbollistëve në seancat stërvitore.
“Këto dy ndeshje do të mundohemi të aktivizojmë të gjithë lojtarët dhe që më pas këto përballje të na ndihmojnë për ndeshjet zyrtare në qershorit. Gjëja e parë që kemi bërë është prezantimi me lojtarët, ajo çka pres nga lojtarët që luajnë në Europë është dëshira.
Vlen shumë dëshira për të luajtur me Kosovën, kemi folur për rregullat dhe mënyrën si duam të funksionojë ekipin, janë përmendur edhe objektivat që i kemi vendosur vetes për kompeticionet e radhës. Të gjithë lojtarët janë pjesëmarrës në stërvitje, kam vlerësuar entuziazmin për t’u stërvitur dhe është me rëndësi dëshira dhe vullneti. Duhet të punojmë në momentet kur kemi topin, por edhe kur nuk jemi në zotërim.
Siç e thashë, synimi është të përfshijmë të gjithë lojtarët dhe nesër mund të shohim si do jetë formacioni. Kjo stërvitje e fundit do të na japë idetë si do të vendosemi në fushë për ndeshjen me Burkina Faso. Duhet t’i përshtatemi secilit kundërshtar, duhet të bëjmë lojën tonë pavarësisht kush është kundërshtari. Në fazën ofensive kemi mjaftueshëm lojtarë dhe duhet t’i japim mundësinë edhe atyre që luajnë në Kosovë”, u shpreh Giresse.



