Trajneri i Maqedonisë së Veriut: Jemi pafat, nuk mund të kishte grup më të vështirë!
Dy skuadrat finaliste të edicionit të fundit të Euro 2020, Italia dhe Anglia, e gjejnë sërish njëra-tjetrën, këtë herë në fazën kualifikuese të Euro 2024. Axurrët si fitues të grupit të tyrë në Ligën e Kombeve ndodheshin në vazon e parë, duke u pozicionuar në gupin B, ndërsa më pas Anglia ishte skuadra e dytë që doli nga vazo e dytë, duke gjetur italianët përsëri.
Në të njëjtin grup me Kampionet e Europës dhe nënkampionet do të jetë dhe Maqedonia e Veriut. Fqinjët, ku luajnë dhe disa lojtarë me origjinë shqiptare ishin të pafat, teksa do të kenë dy përballje shumë të forta. Interesante përballja e maqedonasve me italianët, të cilët i lanë jashtë Kupës së Botës në edicionin e fundit, ku i eliminuan në fazën e play-off. Krahas Anglisë, Italisë dhe Maqedonisë së Veriut në grupin B do të jenë dhe Ukraina si dhe Malta.
Maqedonia e Veriut ishte pjesëmarrëse në edicionin e fundit të kampionatit europian dhe do të provojë edhe këtë edicion të bëjë surprizën edhe pse ndodhet në grupin e ferrit.
Pas shortit, trajneri i Maqedonisë, Blagoja Milevski tha se nuk mund të kishte kundërshtarë më të fortë, por gjithsesi shton se do të provojnë shansin e tyre.
“Mund të them se ramë në një nga grupet më të vështirë të mundshëm. Edhe nëse do ta kishim zgjedhur vetë, nuk do të kishim mundur të zgjidhnim kundërshtarë më të fortë. Por, tashmë jemi mësuar me këtë lloj fati. Do luajmë ndaj finalistëve të kampionati të fundit evropian dhe ata janë favoritë absolutë për dy vendet e para në grup. Mund të kuptohet se do të luajmë shanset tona dhe do të përpiqemi të qëndrojmë konkurrues në fund. Rrugës do të shohim nëse do kemi mundësi për të pretenduar. Grupi është shumë i vështirë, ne na takon vetëm te besojmë tek vetja”, u shpreh Milevski.



