Tramezzani merkato në Superiore, merr ndihmësin e Duros te Sioni
I sjellë në elitën e futbollit shqiptar nga Shpëtim Duro, fillimisht te Kukësi e më pas pjesë e stafit të tij te Laçi, Sero Noka bën një hap të rëndësishëm në karrierë. Mbetet sërish në rolin e zëvendëstrajnerit, por këtë herë te Sion në elitën e futbollit zviceran.
Noka, vetëm 30 vjeç, ka firmosur për një vit më zviceranët. Ai do të jetë pjesë e stafit të Paolo Tramezzanit, një emër i njohur në vendin tonë si krahu i djathtë i Gianni De Biassi në arritjen e kualifikimit në EURO 2016.
Noka te Sion gjen edhe një emër tjetër të njohur, Burim Kukelin, gjithashtu ndihmës i trajnerit italian. E shkuara e Nokës ka qenë në Francë, si zëvendëstrajner i Le Havre.
Në këtë klub ai ka drejtuar edhe në skuadrat e moshave, ndërkohë që kjo verë ka qenë e “nxehtë” me oferta për Seron. Ai ka qenë opsion për të marrë drejtimin Marseille U19.
Gjithsesi tani ai mendon të vazhdojë aventurën e tij te Sion, ku krah Tramezzanit e Kukelit mund të marrë eksperiencë të rëndësishme që së shpejti të “gradohet” si trajner i parë.



