Transferta e City-t ndaj Wolves, Pep gati të thyejë rekordin e Mourinhos
Sonte, në orën 20:45, Mancester City do të luajë në transfertë me Wolves më synimin për t’u ngjitur në vendin e dytë, pasi Leicesteri nuk ia doli të ndalte Liverpoolin në “King Power Stadium”.
Përtej vlerës që ka për renditjen, kjo ndeshje është e veçantë për trajnerin Pep Guardiola, pasi me një sukses të mundshëm do të hyjë në histori si trajneri që ka arritur 100 fitore në Premier League në më pak ndeshje se çdo trajner tjetër në elitën e futbollit anglez. Rekordi i takon Jose Mourinhos, që më 19 janar të vitit 2014 regjistroi fitoren e 100 në vetëm 142 takime gjithsej (në krye të Chelsea-t).
Pep Guardiola edhe nëse nuk e thyen këtë rekord kundër Wolves, ka edhe tetë ndeshje të tjera në dispozicion për ta zbritur nga froni portugezin, pasi 99 fitoret e deritanishme nbë Premier League i ka arritur në vetëm 132 takime të zhvilluara gjithsej.
Fitorja e 100-të e Jurgen Klopp në krye të Liverpool u shënua në fitoren e thellë 5-2 ndaj Evertonit në derbin Merseyside më 4 dhjetor, statistike që e rendit gjermanin pas Mourinhos, pasi u arrit në ndeshjen e 152-të në Premier League.
Legjenda e Manchester United, Sir Alex Ferguson, e festoi fitoren “shekullore” në takimin e 169 në elitën e futbollit anglez.




