Trashi në “Zona Gol”: Dua Kombëtaren, Superliga nuk duhet injoruar
Në fillim të sezonit, pakkush besonte se Partizani do të ishte konkurrues për titullin kampion, pasi nga skuadra ishin larguar shumë nga ata që cilësoheshin si senatorë të ekipit dhe kishin ardhur shumë të rinj.
Gjithsesi, “të kuqtë” e Skënder Gegës kanë djegur të gjitha parashikimet, teksa kanë grumbulluar plot 16 pikë në 7 javët e para dhe kryesojnë me meritë kampionatin, për më tepër, duke pësuar vetëm një gol.
Për të diskutuar për formën e mirë të Partizanit, “çelësin” e këtij suksesi, por edhe për objektivat personalë dhe të skuadrës, ishte i ftuar në emisionin “Zona Gol” në Supersport, një nga futbollistët më me eksperiencë te “të kuqtë”, Lorenc Trashi.
Po flisnim për kampionatin italian dhe duam t’ju pyesim cila është skuadra juaj e zemrës, në Serinë A?
Ekipi im i zemrës aktualisht ndodhet në vendin e pestë. Unë jam tifoz me Interin, por më vjen keq që Juventusi është shkëputur shumë, që në fillim.
Duket sikur Elbasani po të sjell fat ty, por edhe Partizanit…
Le të themi që na ka ecur mirë kur jemi grumbulluar këtu para ndeshjeve, por edhe kur kemi luajtur në këtë stadium. Uroj që të vijojë të jetë fatsjellës.
Këtë verë u larguan shumë lojtarë nga Partizani, por ju mbetët. Ka ndonjë shpjegim kjo?
Shumë prej atyre lojtarëve që u larguan, erdhën në fund të kontratës së tyre me klubin dhe nuk ranë dakord për shifrat e kontratës së re. Unë jam ende nën kontratë dhe jam i kënaqur që vijoj të jem pjesë e Partizanit. Për më tepër, pastaj është normale që duhet punuar shumë në fushë, që të meritosh fanellën e Partizanit.
Emri juaj është lakuar shpesh për të qenë pjesë e kombëtares. Të bezdis apo të pëlqen kjo gjë?
Nuk më bezdis, madje më bën të ndjehem mirë dhe deri diku i vlerësuar, por unë do të doja që jo thjesht emri im të përflitej, por të grumbullohesha dhe të jepja kontributin tim për ngjyrat kuqezi.
A duhet të luash jashtë Shqipërisë, për t’u grumbulluar në Kombëtare?
Unë besoj që kjo nuk duhet të funksionojë kështu, pasi do të ishte ironizim i Superligës Shqiptare. Unë personalisht kam përshtypjen që Superiorja është një kampionat i fortë dhe lojtarët që luajnë këtu, mund të përfaqësojnë Shqipërinë.
Këtë javë do të luani me Kukësin, një ndeshje e rëndësishme për ecurinë e kampionatit…
Kemi një ndeshje shumë të vështirë me Kukësin dhe duhet të dimë se ata nuk ishin në ditën e tyre më të mirë ndaj Skënderbeut, ndaj duhet të mos bazohemi te ajo ndeshje. Gjithsesi ne jemi maksimalisht të angazhuar për të dhënë më të mirë dhe shpresojmë që më pas gjithçka të shkojë me sukses.
Merrni shumë pak kartona dhe keni një qetësi për t’u admiruar. A është kjo një strategji, apo porosi e trajnerit Gega?
Strategjia është e stafit, pra e trajnerit, që është konsultuar me ne dhe na ka porositur që të jemi të qetë dhe të përqendrohemi vetëm te loja jonë, jo të merremi me gjërat e tjera.
Ku ndiheni më mirë, në mbrojtje apo në pjesën e avancuar?
Të them të drejtën jam i përqendruar totalisht te loja ime si mbrojtës dhe dua të perfeksionohem sa më shumë në këtë pozicion. Më pas kuptohet që mundohem të ndihmoj skuadrën edhe përpara, sa herë që më jepet mundësia.



