Kategoria Superiore

Trashi nuk stërvitet as me Partizanin B, shqetësojnë edhe Hoxha e Telushi

Është vetëm ndeshja e parë e fazës së dytë, por duket se ka marrë përmasat e një finaleje supersfida e ditës së hënë mes Partizanit dhe Skënderbeut. “Demat”, të cilët kanë zhvilluar një fazë të parë thuajse të përsosur, ku kanë regjistruar 7 fitore, një barazim dhe vetëm një humbje, kjo e fundit pikërisht kundër korçarëve, po vijojnë përgatitjet me synimin për t’i marrë maksimumin përballjes.

Lorenc Trashi nuk ka qenë i pranishëm në seancën stërvitore dhe në formë ndëshkimi për sjelljen e tij pas ndeshjes me Luftëtarin, duhej të përgatitej me skuadrën e dytë, por sipas informacioneve 26-vjeçari nuk ka qenë i pranishëm në stërvitjen e Partizanit B. Nuk është e qartë nëse gramshioti do të përfshihet në listën e lojtarëve të gatshëm për duelin kundër kampionëve, por gjasat janë të shumta që ai të qëndroj jashtë dhe nëse kjo ndodh, vendin e tij mes titullarëve do ta marrë Kalari.

Kapiteni Alban Hoxha është në luftë me kohën. Tërheqja e ligamentit të jashtëm në gjurin e djathtë kërkon të paktën 3 javë, por gardiani ka djegur etapat dhe së bashku me stafin mjekësor po bën maksimumin për të qenë në fushë të hënën. 31-vjeçari është stërvitur i diferencuar, nëse nuk ia del, kuadrati do t’i besohet sërish Dashamir Xhikës. Bruno Telushi ka vijuar të stërvitet veçmas grupit për shkak të një shqetësimi në zonën e pasme të gjurit.

Mesfushori i cili këtë sezon ka qenë një ndër lojtarët më produktiv tek të kuqtë pritet të rikuperohet për supersfidën ndaj bardhekuqve. I pranishëm ka qenë drejtori sportiv Olsi Rama, i cili ka ndjekur nga pranë të gjithë seancën stërvitore duke biseduar shpesh herë me trajnerin Skënder Gega. Ndërkohë stërvitja u parapri nga një veprim i veçantë i lojtarëve të kuq, të cilët i dhuruan lojtarëve të akademisë librin mbi jetën e një legjende si Refik Resmja në mënyrë që të kuptojnë edhe më mirë se çfarë do të thotë të përfaqësosh një klub kaq të madh si Partizani.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency