Tri humbje radhazi nuk tolerohen, klubi francez shkarkon trajnerin
Pas Reimsit të Arbër Zenelit, një tjetër klub francez ka shkarkuar trajnerin. Montpellier, një ndër tri klubet që ia ka dalë t’i rrëmbejë titullin kampion PSG-së gjatë epokës që sheikëve (bashkë me Monaco dhe Lille), ka ndërprerë bashkëpunimin me Olivier Dall’Oglio.
Humbja në fundjavë ndaj Lensit, ka rezultuar fatale për 58-vjeçarin, i cili qëndronte në pankinën e Montpellier prej qershorit të vitit të kaluar. “La Paillade” nuk kanë marrë asnjë pikë në tri ndeshjet e fundit dhe renditen në vendin e 11-të në kampionatin francez të futbollit.

Drejtuesit e klubit nuk kanë humbur shumë kohë dhe kanë zgjedhur t’i besojnë përkohësisht stolin e skuadrës Romain Pitau, i cili mbante postin e ndihmësit të Dall’Oglio. Montpellier ka fituar vetëm një herë titullin kampion në Francë.
Ishte sezoni 2011/2012 kur skuadra e drejtuar nga e Rene Girard triumfonte përballë PSG-së së Carlo Ancelottit. Ylli i ekipit ishte Oliver Giroud, i cili shpallej golashënuesi më i mirë i atij sezoni në Ligue 1, teksa pjesë e Montpellier ishin edhe emra si kapiteni Yanga-Mbiëa apo marokeni Belhanda.




