Trishtim dhe autokritikë, Vojvoda: Na iku kot fitorja, duhet të kisha shënuar
Një gol i Ciro Immobiles në minutat shtesë, evitoi humbjen e Lazios dhe i hoqi nga duart fitoren Torinos. 1-1 përfundoi sfida e luajtur në “Olimpico”, takim të cilin Mërgim Vojvoda e zhvilloi të plotë për skuadrën e Ivan Juric.
Anësori i djathtë dardan, emri i të cilit lidhet me një transferim te Milani, u shfaq i trishtuar në prononcimin e dhënë për Torino Channel. “Sa keq që pësuam gol në minutat shtesë, jemi të trishtuar.
Krijuam shumë raste për gol, ndoshta duhet ta kishim mbyllur ndeshjen me një gol të dytë. Më vjen shumë keq që nuk ia dolëm të fitojmë. Edhe unë kisha një rast të mirë, por nuk shënova dot, nuk e prisja atë top.
Jam i trishtuar për mungesën e fitores, por shpresojmë të fitojmë takimin e radhës për tifozët tanë”, deklaroi 27-vjeçari, i cili po luan sezonin e dytë me skuadrën italiane.



