Tifozët në tribunë, Tirana e korri një fitore të madhe
Është folur shumë për hapin e gabuar të Tiranës në këtë fillim kampionati, lojën, zgjedhjet taktike dhe humbjen ndaj Kamzës, por ndërkohë një detaj i rëndësisë maksimale është lënë disi në harresë. Tirana e ka fituar një sfidë të madhe në këtë kampionat, ndoshta jo thjesht për meritë të saj, më tepër atë të emrit, traditës dhe përkatësisë që mbart prej dhjetëra dekadash. Janë ata, tifozët.
Para ndeshjes me Kamzën, ishin aty, sërish, në rrethinat e “Selman Stërmasit”, të të gjitha moshave: të rinj, të vjetër, apo 30-40-vjeçarët e rritur me Tiranën e madhe të pasviteve ‘90. Në shkallët e stadiumit një prezencë e lartë, ndoshta më e madhja për një ndeshje të fillimit të kampionatit, edhe për faktin se, më në fund, Tirana rikthehej në Superiore.
Ishin aty dhe tifo grupi i organizuar, “Fanatiks”. Mbeten kritikë ndaj klubit dhe shenjat e rënies një vit më parë nuk harrohen aq lehtë, diçka që e demonstruan edhe gjatë ndeshjes me koret e tyre, por prezenca e tyre është jashtëzakonisht e rëndësishme. Pa diskutim që i transmetojnë diçka nga shpirti tradicional i Tiranës që duan, grintë, krenari edhe skuadrës në fushë.
Për fat të keq, këtë herë nuk kanë mundur të largohen të kënaqur, por është vetëm një fillim kampionati. Janë pasuria e vërtetë e klubit dhe një faktor madhor për të arritur suksesin. Edhe ndaj Teutës kanë paraljmëruar se do të jenë. Një fitore e madhe. Tirana mund të gëzohet, për momentin, pasi si kudo në botë edhe aty humori i tifozëve është i lidhur pazgjidhshmërisht me rezultatet. Nëse edhe skuadra në fushë arrin t’i përgjigjet spektaklit të tyre në tribuna, diçka që nuk ka ndodhur në këto vitet e fundit, atëherë po, mund të thuhet se është kthyer Tirana e vërtetë.



