“Turqit më kanë para borxh”, ish-lojtari i Valencias: Dua atë që më takon, nuk kam vjedhur asgjë!
Sofiane Feghouli kaloi plot pesë vite tek klubi i Galatasaray në Turqi. Mesfushori e konsideron eksperiencën turke si një nga më të bukurat në karrierën e tij, megjithatë 32-vjeçari nuk e mohon pikën e dobët të Galatasarayt.
Vonesat e rrogës e kanë shoqëruar Feghoulin përgjatë karrierës së tij me gjigandët turq ndërsa edhe tashmë që nuk është më një futbollist i tyre, sërish nuk është likujduar plotësisht nga ana e klubit.
“Unë e dua shumë Galatasarayn, këtë e them sinqerisht. Kam shumë kujtime të bukura aty, futbolli është pasioni im. Por, është gjithashtu edhe profesion, për pesë sezone i kam pranuar vonesat e pagave dhe nuk kam bërë asnjë polemikë. Unë dua atë që më takon sepse nuk kam vjedhur asgjë, madje nuk kërkoj as interesat. Kemi fituar shumë dhe mendoj se respekti mes palëve duhet të vijojë”, u shpreh Feghouli.



