U-17/Elvin Beqiri: Do të zgjedhim më të mirët dhe më të denjët
Përvoja në krah të Xhemal Mustedanagicit i ka shërbyer shumë, por tashmë e Elvin Beqiri e ka marrë i vetëm “timonin” në drejtimin e përfaqësues së 17-vjeçarëve. Trajneri shkodran do të nisë këtë aventurë të rëndësishme më karrierën e tij të re dhe menjëherë do të testojë futbollistët e tij në një turne miqësor që do të zhvillohet në Turqi, aty ku do të ketë përballë Spanjën, Rusinë dhe Maqedoninë. Beqiri ka besim se elementët e veçantë do të spikasin me ngjyrat kuqezi.
Shpresoj që vlerat e lojtarëve që do të grumbullojmë të shfaqin vlerat e tyre dhe të jemi sa më të kënaqur me performanca e tyre gjatë këtij aktiviteti. Të punosh me moshat nuk është e lehtë. Brezat janë të ndryshëm dhe shpresoj që brezi i 2003 të jetë i mirë. Kemi parë shumë elementë cilësor dhe shpresoj të jenë të mirë. Është fat për ne që kemi edhe një tjetër turne pas 2 muajsh në Maltë dhe do të shohim elementë të rinj sërish. Shpresoj të gjejmë më të mirët për eliminatoret zyrtare, megjithatë lufta është e gjatë deri në nëntor dhe kanë rrugë të gjatë deri te ekipi A.
Fluksi i lojtarëve është i lartë dhe trajneri nuk përjashton askënd, duke u dhënë shpresë edhe futbollistëve të cilët nuk ishin pjesë e listës për këtë turne.
Kam menduar që t’i ndaj në dy grupe pasi kemi shumë lojtarë për t’u grumbulluar. Në pamundësi për t’i thirrur të gjithë i kemi ndarë në dy grupe. Do të shohim cilësitë e tyre, duke shpresuar të gabojmë sa më pak.
Interesi i teknikut për futbollistët shqiptar që luajnë jashtë Shqipërisë nuk mungon, megjithatë fokusi kryesor do të jetë tek ata që aktivizohen në kampionatin tone.
Në përgjithësi, të gjithë lojtarët kanë pasur dëshirë të madhe të përfaqësojnë Shqipërinë. Dëshira është e madhe dhe ne duam të zgjedhim ata që janë të zotët për të luajtur. Ne falënderojmë prindërit që i afrojnë te Kombëtarja. Kryesorja është që ne zgjedhim më të mirët dhe të denjët për Kombëtaren.
Kualifikimi në Ellite Round është një përgjegjësi dhe objektiv të cilin Beqiri e ka pranuar pavarësisht vështirësive që parashtron rruga.



