Presidenti i Federatës së Kosovës, Agim Ademi përfundoi në rajonin e policisë në mbrëmjen e së mërkurës për shkak të një denoncimi nga Artan Govori për dhunë të ushtruar ndaj tij. Megjithatë, Ademi në një reagim të fundit ka sqaruar se bëhet fjalë për një keqkuptim ndërsa thekson se kjo situatë është duke u përdorur kundër tij për shkak të zgjedhjeve në Federatë.
Reagimi i Ademit:
Dje për shkak të një debati verbal që pata me një koleg të FFK-së, i cili debat kishte qëllim krejt të mirë për të sqaruar një situatë nga marrëdhënia e punës në FFK, përfundoi pa shkas në Polici dhe ju dha hov nga disa media dhe grupe të interesit, duke e shfrytëzuar situatën zgjedhore që kemi në FFK, me ç’rast unë përfundova për disa orë në Polici.
Pas deklaratave të të gjitha palëve të përfshira, u sqarua se e tëra ishte vetëm një keqkuptim, kështu që unë u lirova nga ndalimi dhe gjendem në mesin e familjarëve dhe kolegëve të FFK-së.
Ju falënderoj edhe njëherë të gjithë juve bashkëpunëtorëve të mi dhe komunitetin e futbollit për interesimin dhe mbështetjen, njëherit ju garantoj se do të punoj së bashku me ju për ngritjen e futbollit dhe avancimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Ju siguroj se së bashkë me stafin e FFK-së do të vazhdojmë punën e madhe që na pret në organizimin e një procesi zgjedhor ligjor dhe të rregullt për datën 06 prill 2022, si dhe në organizimin e ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës, kundër Burkina Fasos dhe Zvicrës këtë muaj.
Faleminderit për mirëkuptim!