U largua nga Laçi, futbollisti transferohet te kampionët e Kosovës
Ish-sulmuesi i Laçit Dejan Zarubica ka vendosur që të transferohet në Kosovë, tek skuadra kampione e Ballkanit. Përmes një njoftimi zyrtar, klubi nga Suhareka ka njoftuar se ka afruar në skuadër futbollistin malazez.
Sulmuesi ka firmosur një kontratë që e lidh me Ballkanin deri në verën e vitit 2024. Në të shkuarën Zarubica ka qenë edhe pjesë e Iskra, OFK Beograd, Buducnost Podgorica, Sutjeska dhe Lovcen, ndërsa edicionin e shkuar ishte pjesë e kurbinasve.
29-vjeçari në sezonin 2021-2022 ka luajtur 31 ndeshje, ku ka shënuar 9 gola dhe 5 asistime, por pas ndeshjeve të Kupave të Europës la ekipin bardhezi. Në këtë mënyrë rrugëtimi i tij në Europë mund të vijojë me Ballkanin, që do të luajë mundësinë e tij për t’u kualifikuar në grupet e Conference League, pasi do të luajë dy takimet e fazës play-off me Shkupin.
Ekipi i Ilir Dajës po bën historinë, pasi në të shkuarën asnjë skuadër kosovare nuk ka arritur që të prekë fazën e grupeve të një kompeticioni të UEFA-s. Ndeshja e parë mes Shkupit dhe Ballkanit do të luhet të enjten në orën 21:00 në “Toše Proeski Arena” e do keni mundësi ta ndiqni live dhe ekskluzivisht në ekranin e “SuperSport” në platformën “DigitAlb”.




