Kategoria Superiore

U largua si i panevojshëm, Vila përballë Partizanit si goleador

Java 20-të e Superiores nuk ka qenë një javë si gjithë të tjerat për Partizanin, pasi përveç polemikave për duelin ndaj Kukësit ka marë një goditje të madhe edhe në imazh. Si për çudi, në të njëjtën javë kanë shënuar 3 futbollistë të cilët në fillim të këtij viti janë larguar si të panevojshëm nga skuadra. Qendërmbrojtësi Renato Malota realizoi golin e sigurisë në fitoren 2-0 të Vllaznisë ndaj Teutës, Realdo Fili golin e avantazhit të përkohshëm të Kamzës ndaj Skënderbeut, ndërkohë që Emiljano Vila bëri më shumë, duke shënuar 2 golat e përmbysjes së madhe për korçarët ndaj Kamzës. Pikërisht mesfushori ka qenë një nga më të kritikuarit tek Partizani, pasi akuzohej për mungesën e realizimit edhe pse ishte një nga lojtarët që vraponte më shumë në fushë.

Revanshi i futbollistit durrsak ka nisur në distancë me ish-drejtuesit e tij, sinjalin e parë e dha në miqësoret e Turqisë, ndërkohë që në fundjavë shënoi dy herë për t’i dhënë pikët e plota Skënderbeut. Me fanellën e kuqe 30-vjeçari ka shënuar 5 gola në kampionat, por edicionin e kaluar dhe gjysmën e këtij aktual ka mundur të realizojë vetëm një herë, në fitoren 4-0 ndaj Flamurtarit më 17 Tetor të 2016-ës.

Një periudhë e gjatë agjërimi, por që duket se tashmë është lënë pas krahëve së bashku me ndryshimin e ambientit. Ironia e fatit e do që fundjavën e ardhshme Vila të vendoset përballë ish-shokëve të skuadrës dhe më shumë sesa një paraqitje e mirë për ekipin aktual duhet një tjetër ndeshje perfekte për t’u dhënë një mesazh të fortë ish-drejtuesve, të cilët e larguan si të padobishëm.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency