Futboll

UEFA Conference League 2022/ 400 të rinj vullnetarë, pjesë e finales historike në Shqipëri

Federata Shqiptare e Futbollit nisi pak muaj më parë një fushatë për rekrutimin e vullnetarëve që do të jenë pjesë e organizimit të finales së madhe UEFA Europa Conference League.

Kur kanë mbetur vetëm 30 ditë nga kjo sfidë historike që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, kanë nisur tashmë edhe intervistat me të gjithë aplikantët e interesuar për të qenë pjesë e organizimit të kësaj ndeshje të cilët kanë pasur mundësinë të aplikojnë në Programin e Vullnetarëve që prej muajit janar.

Në dritaren e dedikuar vetëm për vullnetarët në website-n zyrtar të FSHF-së kanë mbërritur rreth 2700 aplikime, ku një numër prej 400 vullnetarësh do të marrin pjesë në këtë event sportiv që do të zhvillohet në Tiranë më 25 maj.

Interesi ka qenë mjaft i lartë jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga qytetarë të huaj të cilët do të jenë pjesë e kësaj eksperience unike, të veçantë e historike për faktin se ky kompeticion i organizuar nga UEFA ka ngritur siparin për herë të parë në vitin 2021, duke kulmuar tashmë me finalen që do të luhet në stadiumin Kombëtar “Air Albania” në kryeqytetin tonë.

Pjesa më e madhe e aplikantëve për të qenë pjesë e organizimit të ndeshjes janë studentë të rinj, të cilët përveç eksperiencës së vyer dhe shkëmbimit të eksperiencave me përfaqësues të UEFA-s dhe FSHF-së, do të kenë mundësi të pajisen edhe me një çertifikatë pjesëmarrje në fund të procesit.

Këta vullnetarë do të kenë detyra të ndryshme në këtë finale, duke nisur nga organizimi i ceremonisë, akreditimet, anti-dopingu, logjistika, mikpritja e të ftuarve, media, biletaria, shërbime teknike etj.

Federata Shqiptare e Futbollit po bashkëpunon ngushtë me të gjithë aktorët vendorë e qëndrorë për të organizuar një finale të shkëlqyer në Tiranë, e për ta kthyer në një festë të madhe për të gjithë Shqipërinë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency