Lajme

Uellsi mposht Skocinë, pranë ëndrrës Grand Slam

“Dragonjtë” e Uellsit “përcëlluan” Skocinë brenda në Edinburg, duke ruajtur kryesimin në Kupën e 6 Kombeve në regbi. Në Murrayfield, ekipi i drejtuar nga Warren Gatland i rezistoi furisë së vendasve, për të triumfuar me rezultatin 18-11 dhe tani skuadra uellsiane është vetëm një fitore larg kompletimit të titullit Grand Slam, pra trofeut madhor në 6 Nations, që nënkupton suksesin në 5 nga 5 ndeshjet në dispozicion përgjatë sezonit.

Përpara 67.000 spektatorëve, ekipi i Gregor Townsend kaloi në epërsi 3-0 me anë të Finn Russell, sidoqoftë miqtë përmbysën shpejt disavantazhin falë numrit 11 Josh Adams, që kaloi me sukses vijën fundore vetëm dy minuta më pas.

Në gjysmën e pjesës së parë (20′) Finn Russell realizoi një tjetër goditje dënimi, për të ngushtuar diferencën në 7-6, gjithsesi “Dragonjtë” u shkëputën sërish, në harkun e vetëm dhjetë minutave, teksa shënuan fillimisht me Gareth Anscombe (23′) dhe më pas radhën e pati Jonathan Davies (29′) që realizoi të dytën try për ekipin uellsian.

Në interval skuadra e Warren Gatland shkoi me epërsinë 15-6 dhe formacioni uellsian doli nga dhomat e zhveshjes jo për të marrë pikën e bonusit, por thjesht për të administruar avantazhin e krijuar, e kështu pjesa e dytë u dominua plotësisht nga vendasit që vazhduan lojën e tyre me pasime të shumta, megjithatë i vetmi që çau “murin e kuq” të miqve ishte Darcy Graham në 57′. Finn Russell gaboi në konvertim (58′), sidoqoftë në disavantazhin 15-11 lojtarët skocezë shtuan përpjekjet dhe rritën presionin, por kështjella e “Dragonjve” u mbajt mirë dhe u bëri ballë sulmeve të njëpasnjëshme të ekipit vendas, madje pikërisht në fund (80′) Gareth Anscombe përfitoi nga një prej daljeve të rralla në gjysmëfushën tjetër për të vulosur rezultatin 18-11, me një goditje dënimi.

Kështu Uellsi doli nga Edinburgu me fitoren e katërt radhazi në këtë edicion, edhe ky sukses pa pikën e bonusit, ndërsa zelandezi Warren Gatland vazhdon të mos njohë humbje në sfidat me Skocinë, e 11 fitore në 11 përballjet ndërmjet. “Dragonjtë” përmirësuan gjithashtu edhe rekordin e dy javëve më parë, duke regjistruar fitoren e 13 rresht në të gjithë kompeticionet, gjithsesi avantazhi në krye të renditjes tani reduktohet në thjesht një pikë, sepse ashtu siç pritej Anglia asfaltoi plot tërbim Italinë e Connor O’Shea-t me rezultatin 57-14.

Në Londër në stadiumin “Twickenham” skuadra e drejtuar nga Eddie Jones e mbylli pjesën e parë me shifrat 31-7, duke siguruar pikën e bonusit që në fraksionin hapës, gjithsesi “trëndafilat e kuq” nuk e ulën aspak ritmin, madje thelluan diferencën teksa fituan edhe 40′ tjetër me rezultatin 26-7.

Për Anglinë realizoi nga dy try binomi Manu Tuilagi – Brad Shields, ndërkaq pati lavdi gjithashtu edhe për lojtarët e tjerë Jamie George, Jonny May, George Kruis dhe Dan Robson (zgjidh nga minutat 8, 15, 21, 32, 48, 64, 68 e 79).

Natyrisht mbetet edhe takimi Irlandë – Francë i ditës së diel, megjithatë një javë para fundit Uellsi kryeson me 12 pikë, ndërsa Anglia me këtë fitore mbajti të gjalla shpresat dhe me gjithë pikën e bonusit tashmë skuadra e trajnerit Eddie Jones ndjek në pozicionin e dytë, me vetëm një pikë më pak se “Dragonjtë”.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency