“Unë i shërbej Ajax-it”, Ten Hag thyen shpresat e Manchester United?
Erik ten Hag ka zgjedhur të mos reagojë në lidhje me lajmet që flasin për kalimin e tij drejt Manchester United, duke theksuar se fokusi i tij është mbyllja e një sezoni të suksesshëm në krye të Ajax-it.
Holandezi raportohet se ka zhvilluar bisedimet me “Djajtë e Kuq” dhe pritet që gjatë kësaj verë të kalojë në “Old Trafford”.
Skuadra e Ten Hag është ende në garë për titullin e Eredivisie, pasi kanë konkurrencë të fortë me PSV e vendit të dytë.
I pyetur nga mediet se pse nuk ka thënë asgjë në lidhje me ofertën e Manchester United, tekniku u shpreh: “Sepse unë i shërbej Ajax-it. Ne duhet të fitojmë dy trofetë e mbetur. Dua ta kem vëmendjen të përqendruar totalisht aty. Nuk dua të flas për lajmet që po qarkullojnë sepse ky moment i sezonit është vendimtar për Ajax-in. kemi luftuar shumë që të arrinim këtu dhe tani duhet ta finalizojmë.”
Kapiteni i skuadrës holandeze, Dusan Tadic u shpreh shpresëplotë se Ten Hag do të qëndrojë në Amsterdam për të paktën edhe një sezon tjetër. I pyetur në lidhje me të ardhmen e pasigurt të teknikut të tyre, Tadic u shpreh se holandezi është një nga më të mirët.
“Shpresoj që Ten Hag të qëndrojë, ai është një trajner i shkëlqyer. Një nga më të mirët në botë. Ai është shumë i mirë dhe shumë më lart se të gjithë kundërshtarët tanë dhe gjithmonë e di se çfarë duhet bërë në një ndeshje.”-theksoi lojtari.
Manchester United është në kërkim të një trajneri të ri, pasi në përfundim të këtij sezon kontrata me Ralf Rangnick përfundon.



