Merkato

United reziston për Lukakun, drejtuesit e Interit përgatisin planin B

Romelu Lukaku dëshiron t’i bashkohet Antonio Contes te Interi dhe zikaltrit janë gati t’i plotësojnë dëshirën teknikut të ri, por nuk kanë ndërmend t’i përgjigjen klubit të Manchester Unitedit, në kërkesën për 85 milionë euro.

Oferta e parë e zikaltërve ka qenë 30 milionë euro plus kartonin e Ivan Perisic, ose një shkëmbim kokë më kokë me sulmuesin argjentinas Mauro Icardi, por anglezët nuk preferojnë asnjërin prej futbollistëve dhe kanë refuzuar.

Aktualisht negociatat janë stopuar, pasi Interi duhet të presë që të kalojë qershori, për t’u mbyllur edhe viti financiar, ndërsa më pas pritet të bëjë një ofertë maksimale prej 70 milionë eurosh.

Marotta dhe Ausilio ia kanë bërë të qartë edhe Contes, edhe Lukakut, se nuk kanë ndërmend të paguajnë asnjë cent më shumë se kaq dhe se nëse Manchester United nuk pranon, atëherë marrëveshja nuk mund të mbyllet me sukses.

Ndërkohë, drejtuesit zikaltër kanë filluar të punojnë edhe për një plan B, që është sulmuesi austriak i West Hamit, Marko Arnautoviç. Gjiganti austriak ka qenë pjesë e Interit edhe në sezonin 2009-2010, vit në të cilin zikaltrit arritën të fitojnë gjithçka nën drejtimin e Mourinhos, por vendosën të mos e blejnë përfundimisht Arnautoviçin, duke e kthyer te Twente.

Tashmë në moshën 30-vjeçare, Arnautoviç ka fituar pjekurinë e nevojshme dhe në dy sezonet e fundit ka shkëlqyer me klubin e West Hamit, ndërsa vlera e kartonit të tij është rreth 25 milionë euro, shifër lehtësisht e përballueshme nga zikaltrit.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency