Vajushi gjen golin e parë në Serinë B, Pro Vercelli humbet
Nëntë minuta në fushë, për të shënuar golin e parë sezonal në Serinë B. Kaq i ka mjaftuar Armando Vajushit të rigjejë rrugën e rrjetës pas më tepër se një viti te Pro Vercelli.
Megjithë golin e realizuar, sulmuesi shqiptar nuk arriti ta ndihmonte skuadrën e tij që të dilte me pikë nga fusha e Ternanës, me vendasit që fituan 4-3 në sfidën e javës së 20-të të kampionatit.
Madje, Pro Vercelli kaloi e para në avantazh me Morran, pas vetëm 4 minutave lojë, por deri në fundin e pjesës së parë të lojës, Ternana arriti të shënonte 4 gola me Montalton, që ishte padiskutim heroi i mbrëmjes në Terni.
Vajushi u aktivizua nga stoli në minutën e 58-të dhe vetëm pak çaste më vonë realizoi golin e dytë, që rindezi shpresat e miqve, të cilëve nuk u mjaftoi as rrjeta e Vives 12 minuta përpara fundit.
Me humbjen e pësuar, Pro Vercelli mbetet në vendin e parafundit të renditjes në Serinë B, në zonën e rënies nga kategoria, ku ka grumbulluar vetëm 18 pikë në 20 javë të kampionatit.



