Premier League

Van Gaal paralajmëron Ten Hag: Kujdes te United!

Louis van Gaal paralajmëron trajnerin tjetër holandez Erik ten Hag mbi atë çfarë e pret te një klub si Manchester United. Për momentin ten Hag drejton Ajaksin, klubin më të sukseshëm në vendin e tij, megjithatë mediat e ndryshme në ishull e bëjnë të sigurtë largimin nga klubi nga Amsterdami, duke parashikuar një kalim të mundshëm të tij te “djajtë e kuq”.

Kaq e vërtetë duket kjo sa edhe vetë bookmakers-at e ndryshëm e kuotojnë trajnerin ten Hag me koeficientin tepër të ulët 1,33 si timonierin e ardhshëm të “red devils”, në mesin e këtij viti, në vendin e 63-vjeçarit gjerman Ralf Rangnick. Në krahun tjetër Louis van Gaal konsiderohet si një trajner me shumë eksperiencë, fjala e të cilit ka një peshë të veçantë, për shkak të eksperiencës së tij të jashtëzakonshme.

Veterani holandez ka drejtuar klubin më të titulluar në Angli për dy sezone, nga mesi i 2014 deri në verën e vitit 2016, kur u zëvendësua nga portugezi Jose Mourinho, sidoqoftë tani është pikërisht 70-vjeçari nga Amsterdami që e këshillon bashkëkombasin e tij për të zgjedhur një klub futbolli dhe jo një klub komercial. Shtatë muaj e gjysmë më herët trajneri Louis van Gaal u rikthye për herë të tretë në drejtimin e Holandës dhe tekniku veteran dha kontributin e tij në kualifikimin e portokallinjve për herë të 11 në fazën finale të një botërori, natyrisht një arritje e madhe duke pasur parasysh eliminimin e kombëtares italiane apo qoftë edhe mungesën e “oranje”-s në Kupën e Botës që u zhvillua në vitin 2018 në Rusi.

Për hir të së vërtetës trajneri Louis van Gaal u mbështet fuqishëm nga Ed Ëoodëard dhe drejtuesit më të lartë të “red devils”, e në fakt veterani holandez mori në gjirin e ekipit plot 15 futbollistë të tjerë, ku spikati fillimisht argjentinasi Angel Di Maria që kaloi nga Reali i Madridit te United për shifrën e 60 milionë stërlinave, ndërsa 12 muaj më vonë “djajtë e kuq” rekrutuan nga Monako gjithashtu edhe sulmuesin francez Anthony Martial, që u shndërrua në adoleshentin më të shtrenjtë në historinë e këtij sporti.

Van Gaal i sugjeron kolegut të tij që t’i peshojë mirë e mirë të gjitha alternativat dhe pastaj të vendosë me qetësi për të ardhmen e tij. Kupa e Federatës FA Cup në 21 majin e vitit 2016, në finalen e fituar në Ëembley pas kohës shtesë ndaj ekipit londinez të Crystal Palace-t përfaqëson edhe trofeun e vetëm të fituar nga Louis van Gaal në drejtimin e “red devils”. Trajnerit holandez nuk i erdhi aspak mirë për mënyrën se si u trajtua pas këtyre dy sezoneve nga mediat e ndryshme dhe drejtuesit më të lartë të klubit, që e zëvendësuan atë me strategun portugez. 70-vjecari deklaroi se Erik ten Hag është një trajner i madh dhe kjo është diçka vërtet shumë e mirë për një klub si Manchester United.

Në konferencën për shtyp përpara takimit miqësor dhe duelit klasik të Kontinentit të Vjetër Holandë – Gjermani van Gaal shtoi se “djajtë e kuq” mbeten një zgjedhje tepër e vështirë për trajnerët, pasi United është shndërruar në një klub marketingu. Sipas tij pra do të ishte më mirë që trajneri ten Hag të preferonte një klub futbolli, por gjithsesi Louis van Gaal qartësoi se nuk ka aspak ndër mend për ta këshilluar bashkëkombasin e tij, në lidhje me një zgjidhje të tillë.

Siç dihet ekipi i Manchester United drejtohet aktualisht nga trajneri Ralf Rangnick, që zëvendësoi në ditët e para të dhjetorit ish-mesfushorin Michael Carrick, i cili mbuloi rolin e kujdestarit menjëherë pas largimit të norvegjezit Ole Gunnar Solskjaer, që u shkarkua pas disfatës së turpshme 4-1 në Vicarage Road me ekipin e Ëatford-it.

Krerët e klubit të famshëm anglez synojnë emërimin e trajnerit të ardhshëm përpara se të mbyllet sezoni në ishull dhe nga sa raportojnë mediat e ndryshme javën e kaluar ka patur madje edhe një takim ndërmjet 52-vjecarit holandez dhe drejtuesve të “red devils”.

Në listën e dëshirave të krerëve të United bëjnë pjesë gjithashtu edhe trajnerë të tillë si Mauricio Pochettino, Luis Enrique dhe Julen Lopetegui, sidoqoftë nga këto tre kandidatura vetëm emri i argjentinasit duket si një zgjidhje tjetër e mundshme, për të marrë drejtimin në Old Trafford, të këtij klubi të lavdishëm që nuk fiton trofe që nga viti 2017.                                         

 

 

 

 

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency