Vangjeli:Titulli prioritet, kualifikimi ende i mundur
Kristi Vangjeli është futbollisti i Skënderbeut që e njeh më mirë se kushdo tjetër Dinamon e Kievit, pasi në karrierën e tij ka luajtur për disa vite në kampionatin ukrainas me Chernomorets Odesën. Mbrojtësi i krahut të djathtë beson shumë te suksesi i korçarëve, edhe pse e di që Dinamo është një skuadër e madhe.
“Shpresoj të mos përsëritim të njëjtat gabime si ndaj Partizanit të Beogradit dhe ndaj Young Boys të bëjmë një figurë të mirë dhe të shkojmë te fitorja. Dinamo e Kievit është një emër i madh i futbollit europian. Ka luajtur pothuajse gjithmonë në grupet e Çhampions League dhe duhet vlerësuar maksimalisht”.
Kualifikimi është ende i mundur sipas Vangjelit por më parë Skënderbeu duhet të mposhtë Dinamon e Kievit për të shpresuar deri në fund.
“ Kemi shanse për kualifikim por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Dinamo do të ketë mungesa por lojtarët që do të luajnë në këtë sfidë nuk i njohim aq mirë. Duhet të tregohemi të kujdesshëm të mbrohemi mirë dhe të kërkojmë golin që do të na çojë te fitorja deri në minutën e fundit. Shpresoj të fitojmë dhe në ndeshjen tjetër të ketë një rezultat të favorshëm për ne në mënyrë që të luajmë kualifikimin në Zvicër ndaj Young Boys.
Kampionati gjithsesi është prioriteti i Skënderbeut.
“Kemi arritur me meritë deri tani. Nuk duhet të nënvlerësojmë askënd. Kemi një distancë me rivalët, por duhet ta thellojmë atë duke fituar sa më shumë ndeshje që të evitojmë problemet e sezonit të kaluar. Unë jam në një mendje me trajnerin Daja, preferoj më shumë të marr 6 pikë kundër Partizanit dhe Kukësit në dy ndeshjet e radhës se sa të kualifikohemi këtu. Është edhe më logjike kështu, sepse objektiv primar dhe i panegociueshëm është titulli kampion”.



