Varësia te Reginaldo, një minus i madh për Kukësin!
Reginaldo po, Reginaldo jo. Fabula e një sulmuesi trasnmeton në mënyrën më besnike perceptimin universal të tifozëve, nëse shënon je mbret, nëse jo skarco. Varësia nga një emër i vetëm është gjithmonë e rrezikshme, qoftë ky dhe Zlatan Ibrahimovic dhe jo më Reginaldo. Në këto 8 javë të para kampionat, fati i Kukësit ka qenë i lidhur ngushtë me venën krijuese të mozambikasit, skuadra verilindore fiton sa herë ka shënuar sulmuesi i mbërritur këtë verë, 3 gola ndaj Tiranës, pastaj dhe ndaj Teutës e Luftëtarit, 3 takime që Reginaldo i ka vendosur vetë. Problemi është se kur ai fiket, Kukësi e ka jashtëzakonisht të vështirë për të gjetur golin, Një pjesë e dytë e mirë ndaj Skënderbeut në Korçë, e po ashtu ndaj Partizanit, por pa arritur të shënojë, duke u penalizuar me dy disfata radhazi. 7 gola të shënuar në total, Kukësi ka sulmin më të dobët të kampionatit si repart, dhe njëkohësisht sulmuesin më të mirë, një paradoks që shpjegon më së miri varësinë ndaj Reginaldos. Në apelin e golit mungojnë ende emra me potencial në aspektin krijues, asnjë rrjetë deri më tani për Donjet Shkodrën, Chafik, Çyrbjan, apo dhe sulmuesit Spehar e Haris Harba. Në një kampionat kaq të ekuilibruar, Kukësi smund të varet vetëm nga golat e Reginaldos, i duhet edhe një plan B për ta gjetur fitoren edhe pa të.



