Kategoria Superiore

Vasil Shkurtaj, “bomberi” që po ndez merkaton dimërore

Merkatoja e janarit konsiderohet si “kamerdare” shpëtimi për shumë klube të Superiores, që nuk kanë marrë rezultatet e pritshme gjatë pjesës së parë të sezonit, duke ua faturuar këtë ngërç mungesës së lojtarëve cilësorë. Ata që janë më të kërkuarit mbeten pa dyshim sulmuesit, një “racë” e rrallë pa shumë e vyer, që i jep sharmin futbolli me dërgimin e topit në rrjetë.

Sigurisht sulmuesit cilësorë është vështirë t’i shohësh në qarkullim në janar, por për ndonjë syresh mund të jetë një rast që s’duhet humbur. I tillë konsiderohet Vasil Shkurtaj i Luftëtarit, që për shkak të probleme financiare që po kalon klubi gjirokastrit është i destinuar të largohet nga bluzinjtë në janar.

Prej javësh flitet për një interesim të Partizanit, që pavarësisht se po funksionon mirë në fazën sulmuese me treshen Mala-Bardhi-Asani, kërkon një tjetër “pykë”, që bën diferencën para portës. Edhe Kukësi mendohet se është futur në lojë për ish-sulmuesin e Shpresës, ndërsa së fundi raportohet se për të njëjtin objektiv ka hyrë në garë edhe Tirana. Bardheblutë, edhe pse kanë zhvilluar lojëra të mira kanë vuajtur shumë për ta dërguar topin në rrjetë dhe “shpëtimi” shihet pikërisht të një element tashmë i konfirmuar në Superiore.

Kuptohet qartë se në janar do të jetë një ankand i hapur me ekipet me të mira të Superiores për të siguruar shërbimet e Shkurtajt, i cili përveç anës financiare do të marrë në konsideratë edhe mundësinë për të fituar trofe dhe luajtur në Europë në sezonin e ardhshëm.

 

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency