Kategoria Superiore

Vendimi i Disiplinës/ Ja kur pritet të rikthehen tifozët e kuq dhe ata korçarë në stadiume

Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit u mblodh sot dhe mori në analizë aktet e fundit të dhunës, të shfaqura në ndeshjen hapëse të Kategorisë Superiore, mes Skënderbeut dhe Partizanit.

Disiplina vendosi të dënojë me 5 ndeshje pa tifozë në stadiumin “Skënderbeu”, skuadrën korçare, që njëkohësisht ishte edhe organizatorja e takimit dhe tashmë do të duhet të paguajë edhe një gjobë prej 300 mijë lekësh të reja.

Rregullorja e FSHF-së përcakton qartë se një klub mund të reduktojë pezullimin, nëse pasi ka shlyer gjysmën e tij, vendos të paguajë gjysmën e mbetur, por nuk dihet nëse klubi korçar do ta bëjë diçka të tillë për të rikthyer më herët tifozët në stadium.

Dënimi ndaj Skënderbeut është për 5 ndeshje në shtëpi dhe nëse klubi korçar vendos të konvertojë dënimin me para, atëherë mund të luajë pa tifozë vetëm tre takimet e para, konkretisht ndaj Laçit, Tiranës dhe Kukësit.

Nëse Takaj vendos të respektojë dënimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës, atëherë tifozët në stadiumin “Skënderbeu” do të rikthehen vetëm në javën e 4-t të fazës së dytë të Superiores, në sfidën që Skënderbeu do ta luajë përballë Flamurtarit.

Gjithsesi vlen të përmendet se tifozëria korçare mund të udhëtojë dhe të marrë pjesë në takimet që Skënderbeu do t’i luajë në transfertë, pasi vendimi i Komisionit të Disiplinës e thekson se pezullimi vlen vetëm për ndeshjet në stadiumin përkatës.

Disi më i ulët ishte dënimi për Partizanin, që do të duhet të paguajë vetëm 200 mijë lekë gjobë dhe mungesën e tifozëve do ta ndjejë në katër takime radhazi, qofshin në shtëpi, apo në transfertë, duke filluar nga kjo javë në Kamëz.

Vlen të përmendet se “të kuqtë” praktikisht do të mungojnë në vetëm 3 takime, pasi me Kamzën gjithsesi nuk do të ishin në stadium, sepse skuadra nga periferia e kryeqytetit është e pezulluar që të luajë pa tifozë, që nga sezoni i kaluar.

Tifozët e Partizanit do të mungojnë më pas në sfidat ndaj Kastriotit, Laçit dhe Flamurtarit, gjithmonë nëse drejtuesit e klubit nuk vendosin që ta konvertojnë gjysmën e dënimit me gjobë. Në këtë rast, tifozëria e kuqe do të rikthehej vetëm në javën e gjashtë, për derbin me Tiranën, që do të zhvillohet në “Selman Stërmasi” dhe ku pritës janë bardheblutë.

Nëse klubi i kuq vendos të konvertojë me para gjysmën e dënimit, atëherë përveç transfertës me Kamzën, tifozët e Partizanit do të mungojnë edhe në ndeshjen me Kastriotin, për t’u rikthyer më pas që nga ndeshja e javës së katërt ndaj Laçit, që do të luhet në shtëpinë e bardhezinjve.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency