Vendos Martial, është Man.United skuadra anti-City
Një gol i francezit Anthony Martial 9 minuta përpara fundit të kohës së rregullt, vendosi fatet e supersfidës së javës së 10-të në Premier League. Në “Old Trafford”, Manchester United mposhti 1-0 Tottenham Hotspur për të kënaqur Jose Mourinhon në stol por edhe për të blinduar vendin e dytë në kuotën e 23 pikëve. Pas 10 javëve “Djajtë e Kuq” , u konfirmuan edhe si skuadra anti-City dhe si ekipi që kanë më shumë mundësi për të rivalizuar me skuadrën e Guardiolës në garën për titull. Në “Teatrin e Ëndrrave”, sfida nisi më mirë për United ndërsa te Spurs-at e Pochettinos ndihej mungesa e sulmuesit kryesor Harry Kane. Megjithatë me kalimin e minutave edhe Tottenhami filloi ta hidhte vështrimin nga porta e De Geas. Rastet më të mira të sfidës u krijuan pas minutës 70-të. Fillimisht Delle Ali humbi një shans të artë i vetëm përballë De Geas pas asistit të Eriksen, ndërsa disa minuta më vonë shtylla i tha jo golit të Lukakut. Për të ardhur te minuta e 81-të, kur Martial i ardhur në fushë nga stoli, i shërbyer nga Lukaku pati qetësinë e nevojshme përpara Lloris duke shënuar golin e fitores për Manchester United.



