Futboll

Vendosin dy goditje standarte, kuqezinjtë e vegjël mposhten nga Maqedonia

Përfundon në favor të Maqedonisë me rezultatin 1-2 testi i parë miqësor nga dy të programuarit për grupmoshën e 15-vjeçarëve. Eqerem Memushaj ka provuar një pjesë të mirë të lojtarëve të grumbulluar, duke përdorur që në fillim modulin 4-3-3. Miqësorja nuk nis në mënyrën e duhur për 15- vjeçarët e Shqipërisë, pasi që në minutën e dytë befasohen nga klasi i Matej Gjorgjiev. Mesfushori ekzekuton në mënyrë perfekte një goditje dënimi në pozicion ballor duke shtangur murin mbrojtës dhe portierin Enis Ujka. Kuqezinjtë e vegjël provojnë të reagojnë, por goli vonon disi. Në minutën e 30-të duhet shpërthimi individual i sulmuesit të Tiranës, Melsi Çereni për të rikthyer baraspeshën e këtij dueli. Kuqezinjtë provojnë përmbysjen pa u mbyllur pjesa e parë me mesfushorin e Skënderbeut Gjergji Kote që provon nga distanca por ka reaguar portieri mik. Në pjesën e dytë nis valsi i zëvendësimeve e Çerenin që vijon të jetë protagonisti i kuqezinjve të vegjël. Në minutën e 66-të është Kreka që pretendon për një penallti, të cilën do ta fitojë Maqedonia 3 minuta më vonë. Pavlevski në një duel me Stafën është rrëzuar në zonë nga mbrojtësi i majtë duke fituar 11- metërshin që ekzekutohet në mënyrë perfekte nga Donart Ibraimi. Maqedonia i falet kështu dy goditjeve standarte për të marë suksesin në miqësoren e parë ndërkohë që kuqezinjtë do të tentojnë revanshin të enjten në stadiumin e Ohrit.

 

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency