Vetëm një skuadër gjermane e pamposhtur dhe nuk është Bayerni
Statistikat flasin qartë. Nëse u hedh një sy pesë kampionateve elitare të Europës, që kur ka nisur sezoni, skuadrat e pamposhtura në Europë janë vetëm 2. E para është e lehtë të imagjinohet, bëhet fjalë për Liverpoolin, që në Champions vazhdon marshin triumfues, ndërsa në kampionat nuk humbet që nga 7 marsi i kaluar. Të kuqtë, që nga fillimi i sezonit kanë koleksionuar 11 fitore dhe 4 barazime.
Por skuadra tjetër është më e vështirë për t’u gjetur. Është e vërtetë që Milani dhe Napoli nuk kanë humbur asnjëherë në kampionat, por të dyja skuadrat italiane kanë pësuar disfata në Champions dhe Europa League. Dhe nuk bëhet fjalë as për spanjollet, pasi dy skuadrat e Madridit, Reali dhe Atletico, e madje dhe Real Sociedadi kanë pësuar nga të paktën një humbje në kampionat.
Skuadra e dytë e pamposhtur ende në 5 kampionatet më të rëndësishme të Europës vjen nga Gjermania, por nuk është Bayerni. Bëhet fjalë për Freiburgun, zbulimin e vërtetë të këtij sezoni. Kuqezinjtë kanë koleksionuar 6 fitore dhe 5 barazime në këtë fillim sezoni, duke u renditur në vendin e tretë në Bundesligë dhe kanë kaluar dhe turin në Kupën e Gjermanisë. Tani Freiburg duhet të mbrojë këtë seri pa humbje (nuk mundet në një ndeshje zyrtare që nga 22 maji) kundër rivalit më të forte. Të shtunën e 6 nëntorit do të luajë kundër Bayernit.



