Kategoria Superiore

Vëzhgimi, Skënderbeu di të “ringjallë” lojtarët me eksperiencë

Shpeshherë Skënderbeu perceptohet si skuadra ku futbollistët e rinj në moshë mund të gjejnë oazin e tyre për të shpërthyer dhe më pas për të kërkuar fatin në një kampionat më të fortë. Por në  të njëjtën kohë po ndodh që tek ekipi që ka dominuar futbollin shqiptar gjatë dekadës së fundit të gjejnë veten edhe lojtarë me eksperiencë dhe të sprovuar në Superiore. Që në momentin e rindërtimit të Skënderbeut aktual, në prag të sezonit 2010-2011 drejtuesit u përpoqën të merrnin futbollistët më të mirë në qarkullim, duke afruar elementë cilësorë nga Dinamo kampione dhe Besa fituese e Kupës. Edhe sot tendenca nuk ndryshon. Rasti i

Emiliano Vilës është i fundit. Ka një arsye përse preferohen futbollistë të cilët kanë luajtur më parë në skuadra pretendente ose të paktën në ekipet e kryeqytetit, sepse aty janë mësuar me presionin e madh që mbart marrja e rezultateve. Orges Shehi ka qenë pjesë e Partizanit për 4 sezone, duke iu afruar shumë pranë titullit kampion, më pas ndodhi kalimi te Besa, ku fitoi Kupën, dhe tashmë është numri një i padiskutueshëm dhe simbol në portën korçare. Tefik osmani është aktivizuar për një sezon me Partizanin dhe më pas në 3 edicione radhazi me Tiranën. Vijueshmëria e karrierës së qendërmbrojtësit ka qenë me ulje-ngritje në skuadra të cilat nuk kanë patur ambicie të mëdha. Sabien Lilaj gjithashtu ka nisur karrierën si profesionist te Tirana, duke qenë pjesë e një skuadre të mbushur me “yje”, ku madje fitoi dhe titullin e fundit në historinë e klubit bardheblu. Muzaka dhe Vila nuk kanë nevojë për prezantime të CV-së së tyre, pasi vijnë në Korçë pikërisht nga e njëjta rrugë, nga kryeqyteti, por me ngjyra të ndryshme. Drejtuesit e klubit në rastet në fjalë nuk u kanë besuar vetëm cilësive dhe eksperiencës në fushë, por mbi të gjitha janë të bindur që këta lojtarë mund të ecin përpara në momente presioni, për të udhëhequr më të rinjtë e talentuar drejt suksesit. Skënderbeu nuk është thjesht një vitrinë për talentet e reja, por gjithashtu edhe për ata lojtarë që në shumë skuadra dhe për shumë trajnerë mund të konsiderohen si relike.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency