VIDEO/ Argjentina nuk fal Venezuelën, feston edhe Messi
Edhe pse e kishte siguruar një biletë për në Katar 2022, sërish Argjentina bëri detyrën në shtëpi ndaj Venezuelës duke e mposhtur me rezultatin 3-0 në ndeshjen kualifikuese të Botërorit. Kombëtarja e drejtuar nga trajneri Lionel Scaloni ishte superiore në të gjithë 90-minutëshin, teksa golin e parë e shënuan në minutën e 34 falë një kombinimi mes De Paul dhe Nicolas Gonzalez, me këtë të fundit që nuk e pati të vështirë ta shtynte topin në rrjetë fare pranë portës.
Në fraksionin e dytë, Argjentina shfrytëzoi më së miri cilësitë e Angel Di Maria i cili u aktivizua në minutën e 70 dhe pas vetëm nëntë minutash dyfishoi avantazhin e të tijve, ndërsa në vazhdim dhuroi edhe një asist për Messin.
Përfundimisht sfida u mbyll me rezultatin 3-0 dhe pas këtij triumfi, Argjentina mban vendin e dytë duke u ngjitur në kuotën e 38 pikëve, teksa Venezuela mbetet në vendin e fundit me vetëm 10 pikë të grumbulluara.



