VIDEO/ Arsenal dominon derbin e veriut të Londrës, Tottenham pëson humbjen e parë për këtë sezon
Arsenal triumfon bindshëm në derbin e veriut të Londrës ndaj Tottenham dhe i rimerr kreun Manchester City-t. “Emirates Stadium” shijoi performancën e “The Gunners” me protagonist të padiskutueshëm Gabriel Jesus.
Ishin vendasit ata që zhbllokuan rezultatin, duke gjetur rrugën drejt rrjetës në minutën e 20’ me Partey. Megjithatë ky avantazh i “The Gunners” zgjati vetëm 11 minuta, pasi në minutën e 31’ Harry Kane realizoi golin e barazimit nga pika e bardhë e penalltisë.
Më pas në minutën e 49’, pra 4 minuta pas nisjes së pjesës së dytë, Gabriel Jesus do t’i dhuronte avantazhin ekipit të Mikel Artetës.
Situata u vështirësua më shumë për skuadrën e Antonio Contes në minutën e 62’ kur pas një ndërhyrje të gabuar, Emerson mori karton të kuq dhe la ekipin e tij në inferioritet numerik.
Ndërsa në minutën e 67’ ishte Granit Xhaka ai i cili do të gjente rrugën drejt rrjetës duke e çuar rezultatin e kësaj sfide në 3-1.
Kështu Arsenal i shkakton humbjen e parë për këtë sezon Tottenham-it dhe rimerr përkohësisht kreun e renditjes me 21 pikë, teksa “Spurs” qëndrojnë në vend të tretë me 17 pikë të grumbulluara.
Arsenal-Tottenham 3-1 (Partey 20′ Jesus 49′ Xhaka 67′ / Kane 31′ pen.)
Pas një aksioni të bukur mes lojtarëve të Arsenal, Granit Xhaka gjen rrugën drejt rrjetës dhe thellon avantazhin ndaj Tottenham në minutën e 67’.
Tottenham mbetet me 10 lojtarë në fushën e lojës në minutën e 62’, kjo pasi Emerson merr karton të kuq pas një ndërhyrje të gabuar.
Arsenal merr avantazhin, pas një rrëmuje në zonë dhe gafës së Lloris dhe Romeros, Gabriel Jesus e dërgon topin në rrjetë në minutën e 49′.
Festa e Gunners nuk zgjati shumë, pasi ekipi i Antonio Contes barazoi rezultatin në 11 minuta më vonë. Richarlison u ndal në mënyrë të parregullt nga braziliani Gabriel dhe penallti për Tottenhamin.
Ekzekutimin e mori përsipër kapiteni Harry Kane, i cili nuk gaboi dhe dërgoi topin saktësisht në rrjetën e portës së Arsenalit. Spektakël dhe barazim 1-1 në derbin e Londrës.
Zhbllokohet derbi Arsenal-Tottenham. Minuta e 20’ ka sjellë avantazhin e vendasve, të cilët zhbllokuan rezultatin falë një eurogoli të Thomas Partey. Mesfushori ganez gjeti trekëndëshin e portës së francezit Lloris, duke ndezur festën e tifozëvë të Arsenalit dhe trajnerit Mikel Arteta. Ky është goli i parë sezonal në Premier League për 29-vjeçarin, ndërkohë që Arsenali kryesues siguron avantazhin përballë “armiqve” të Tottenhamit.



