Kategoria Superiore

Video/ Berisha protagonist, Skënderbeu gjen fitoren e parë sezonale ndaj Kukësit

Skënderbeu gjen fitoren e parë sezonale dhe e bën atë në ndeshjen që pritej më pak, atë përballë Kukësit në sfidën e parë të javës së 8- të Abissnet Superiores, ku ia doli të triumfojë me rezultatin 2-1.

Korçarët kishin shfaqur probleme të shumta në këtë fillim sezoni dhe renditeshin të fundit me vetëm tre pikë, megjithatë ndaj Kukësit bënë kthesën e shumëpritur, duke i lënë shumë pak mundësi një kundërshtari që ka treguar se di të luajë futboll dhe në të njëjtën kohë, duke e goditur pa reshtur në kundërsulm.

Bashkë me Skënderbeun, rilind edhe Elvi Berisha, që pas ndëshkimit nga trajneri Memelli, është rikthyer më i fortë e bindur se kurrë, pasi ndaj verilindorëve ishte pa diskutim protagonisti kryesor i fitores, ndonëse nuk shënoi asnjë nga golat.

Ndërkohë, Kukësi pëson humbjen e dytë sezonale dhe mbetet tre pikë larg kreut, ndërsa ky rezultat “u djeg” jo pak verilindorëve, që këtë sezon kanë pretendime të mëdha.

Skënderbeu – Kukësi   2-1  Dwumfour  54′, Mensah 84′ / Hila 99′ (Pen.)

Kronika e ndeshjes:

90’+7 – Vjen vërshëllima e arbitrit, me Skënderbeun që gjen fitoren e parë sezonale në kampionat dhe i largohet fundit të renditjes, duke u ngjitur në kuotën e 6 pikëve.

99′ – Hila merr përsipër penalltinë dhe gjuan saktë, duke e dërguar në rrjetë, duke shënuar një gol që ka vlerë vetëm për statistikë personale.

96′ – Pas rishikimit të aksionit në VAR, arbitri akordon penallti për Kukësin.

96′ – Feijao dhe Puntus provojnë të shënojnë golin e nderit për Kukësin, por nuk ia dalin, pasi ndërhyn dhe spastron zonën mbrojtja korçare.

90′ – Akordohen 7 minuta shtesë.

83′ – Goooool. Mensah shërbehet saktë nga Berisha dhe driblon portierin Tafas, për të dërguar topin në rrjetë. Goli konfirmohet edhe nga VAR, ndërsa Skënderbeu mbyll llogaritë e ndeshjes. 

81′ – Elvi Berisha bën gjithçka në mënyrë perfekte, por në fund portieri Tafas bën heroin, duke e ndalur me një superpritje.

71′ – Tifozët korçarë mjaft të acaruar në tribuna. Arbitri ndal lojën dhe kërkon qetësimin e situatës… Sfida rinis sërish pas rreth tre minutash.

67’ – Pranë golit të dytë Skënderbeu, këtë herë me Mensah, që gjuajti rrezikshëm, por një devijim bëri që topi të përfundojë në këndore.

65′ – Tjetër kërcënim nga ana e Skënderbeut, me Elvi Berishën që hyn nga e majta drejt qendrës dhe godet nga distanca, por pret në dy kohë portieri Tafas…

61′ – Largohen Bytyçi e Shqiprim Taipi, ndërsa në fushë zbresin Puntus e Ardit Hila…

54′ – Gooooool. Zhbllokohet sfida dhe është Skënderbeu që kalon në avantazh. Një krosim nga goditja standarde, gjen kokën e Dwumfour, që gjuan saktë dhe topi përplaset në shtyllë për t’u ndalur në rrjetë. Festë në kampin korçar.

51′ – Kundërsulm i shpejtë i korçarëve me Berishën, që ndalet me faull nga Lulaj, por për habinë e të gjithëve, arbitri i fal mbrojtësit kartonin e verdhë…

45’+1 – Mbyllet pa gola pjesa e parë. Kukësi bën më mirë, duke qarkulluar topin, por hasi në një mbrojtje të kujdesshme të korçarëve, të cilët nga ana tjetër rrezikuan disa herë me kundërsulme të rrezikshme.

45′ – Vertikalizim i bukur i Marës për Mensah, i cili kthen për Berishën në qendër, por ndërhyn Bytyçi, që dërgon topin në këndore, duke larguar rrezikun…

35′ – Kundërsulm mjaft i bukur i Skënderbeut, por Mensah bëhet konfuz dhe fillimisht i heq mundësinë e goditjes, Elvi Berishës, ndërsa më pas shërben për Marën, që gjithsesi nuk godet dot.

29′ – Tentativë nga distanca e njërit prej futbollistëve të Kukësit, por topi nuk ka forcën e duhur për të kërcënuar portierin Rexhepi.

11′ – I pafat Skënderbeu. Një krosim i rrezikshëm në zonë, kalon ngjitur me shtyllën e Tafas dhe asnjë nuk arrin ta devijojë në rrjetë…

8′ – Pranë golin Kukësi me Milunovic, që e pa veten të zbuluar në zonë, por ndërhyrja e kapitenit Meksi ishte decizive…

3′ – Këndoren e parë e gjuan Skënderbeu, por largon mbrojtja verilindore…

 – Starton sfida në stadiumin “Skënderbeu”, me korçarët që nisin topin e parë…

Formacionet zyrtare:
Skënderbeu (5-3-2): Rexhepi; Meksi, Sadriu, Vitija, Doumfour, Vrapi; Mara, Jean Victor, Agnaldo Moraes; Berisha, Mensah
Kukësi (4-3-3): Tafas; Ndreca, Bytyçi, Lulaj, Peposhi; De Lucas, Sh. Taipi, Gj. Taipi; Basa, Milunoviç, Feijao

Shifra dhe fakte:
– Skënderbeu është skuadra që ka bërë më keq në këto 7 javë të para të kampionatit, pasi ka grumbulluar vetëm tre pikë dhe nuk e ka shijuar ende fitoren e parë. Korçarët pozicionohen në vendin e fundit dhe kanë një golavarazh -7.

– Kukësi është skuadra që ka bindur më së shumti në 7 javët e para të Abissnet Superiores, jo vetëm për faktin se ka grumbulluar 14 pikë, por mbi të gjitha për atë që ka treguar në fushën e lojës.

– Dy skuadrat janë përballur plot 40 herë në historinë e futbollit dhe peshorja është tërësisht e balancuar, me 15 fitore për çdo ekip dhe 10 barazime, ndërsa golavarazhi flet në favor të Kukësit me 52 të shënuar e 49 të pësuar.

– Sezonin e kaluar të dy skuadrat u përballën 4 herë në kampionat dhe dy sfidat e gjysmës së parë u fituan thellë nga Kukësi, ndërsa dy të tjerat shkuan në favor të korçarëve, që ia dolën të marrin gjithashtu 6 pikë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency