VIDEO/ Bilbao ka harruar të fitojë, Stuttgart thyen Mainz dhe i largohet zonës së ftohtë
Barazon Athletic Bilbao në La Liga dhe fiton Stuttgart në Bundesligë. Ekipi bask e mbylli në barazim 2-2 takimin shtëpiak ndaj Granadës, dhe ndeshjet radhazi pa fitore në kampionat kanë shkuar pesë.
Raul Garcia mori një asist nga Munian në minutën e dhjetë dhe dërgoi topin në rrjetë. Vendasit në avantazh, festë në shkallët e stadiumit, por miqtë nuk u dorëzuan dhe përmbysën rezultatin brenda pjesës së parë, falë golave të Machis (25’) dhe Molina (34’), i cili finalizoi një super aksion të Granadës.
Pjesa e dytë foli për Athletic, që iu afrua në disa raste golit të barazimit. Raul Garcia u ndal nga traversa në minutën e 57-të. Veprimi i bukur akrobatik nuk përfundoi në rrjetë, përndryshe do të ishte një eurogol.
Gjithsesi, vendasit evituan humbjen në shtëpi falë autogolit të Luis Maximiano (76’). Athletic e mbylli takimin me dhjetë lojtarë pas daljes me të kuq të mbrojtësit Martinez në shtesa, ndërsa Granada siguroi një pikë të rëndësishme për objektivin mbijetesë.
Stuttgart iu fal golave të japonezit Ito (21’) dhe kroatit Sosa (51’) për të thyer 2-1 në fushën e vet Mainz, që gjeti përkohësisht golin e barazimit me anë të Alexander Hack në fundin e pjesës së parë.
Rikthim te fitorja në kampionat pas tre humbjeve për Stuttgart, që ka lënë përkohësisht zonën e ftohtë të renditjes. Mainz i jep fund ecurisë prej 4 rezultateve pozitive në kampionat.



