VIDEO/ Buzëqeshje me Mourinhon dhe prekje klasi, Roma “rrotullohet” rreth Dybalës
Nënshkrimi me Paulo Dybalën mund të konsiderohet pa frikë si një nga goditjet më të mëdha të Romës në sezonet e fundit. Verdhekuqtë ia dolën të bindnin sulmuesin teksa i ofruan një kontratë trevjeçare nga e cila argjentinasi do të përfitojë gjashtë milionë euro në sezon plus një milionë të tjerë në formën e bonuseve.
Tashmë, 28-vjeçari ka nisur edhe stërvitjen nën urdhrat e trajnerit Jose Mourinho teksa në një video të fundit të shpërndarë nga vetë klubi kryeqytetas shihet fare qartë atmosfera pozitive ku dallon edhe raporti i Dybalës me teknikun portugez.
Ishte në fakt, pikërisht Mourinho që e bindi Dybalën për të “përqafuar” projektin e Romës, ndërsa në videon e shpërndarë nga klubi, “La Joya” shfaq më së miri edhe klasin e tij me disa “ledhatime” të topit. Tashmë, tifozët romanë kanë nisur të ëndërrojnë titullin teksa në fushë Dybala-Zaniolo-Abraham, por edhe Pellegrini mund të garantojnë shumë kënaqësi, pa harruar më pas edhe “Specialin” në stol, Jose Mourinho.



