Kategoria Superiore

Video/ Da Silva shënon me prekjen e parë, Josa “shijon” humbjen e parë bardhezi

Vllaznia “ia merr dorën” Laçit, pasi e mposht sërish, këtë herë me rezultatin minimal 1-0. Nën një shi të vazhdueshëm në “Loro Boriçi”, kuqeblutë i falen një goli të fantazistit brazilian Victor Da Silva, i cili shënoi me prekjen e parë të topit, ndërsa Mirel Josa pëson humbjen e parë në krye të skuadrës kurbinase.

Në “Loro Boriçi” u zhvillua një shfaqje mjaft interesante, me ritëm të lartë dhe raste të shumta shënimi, por ndryshe nga ndeshja e fazës së parë, këtë herë tifozët shijuan vetëm një gol, atë me vlerë tre pikëshe të Da Silvës.

Kjo është fitorja e dytë radhazi për shkodranët, që blindojnë vendin e tretë të renditjes me 16 pikë dhe tani e shohin veten edhe më afër kreut, pasi kanë vetëm 5 pikë më pak se Tirana që mban vendin e parë. Nga ana tjetër Laçi mbetet në vendin e gjashtë me 12 pikë dhe nuk njeh fitoren prej dy javësh radhazi.

Vllaznia – Laçi 1-0  Da Silva 49′ (Loro Boriçi dhe Supersport 3)

 

Kronika e ndeshjes:

90′ + 3 – Vërshëllen tre herë arbitri Ardian Beqiri, që sinjalizon fundin e ndeshjes, me fitoren minimale 1-0 në Vllaznisë.

91’ – Kërcënon Laçi me një goditje standarde, por në fund është Diagne që bën një ndërhyrje vendimtare dhe largon rrezikun nga zona kuqeblu.

90′ – Akordohen tre minuta shtesë…

86’ – Provon sërish Vllaznia me Elvedin Heric, që gjuan nga jashtë zonës, por topi devijohet dhe përfundon në goditje këndi.

80′ – Largohen Latifi e Hoxhaj, për t’u lënë vendin Krujës dhe Heric…

72′ – Ndëshkohet me karton të verdhë Fjoart Jonuzi, për një ndërhyrje të ashpër në gjysmëfushë

66′ – Vllaznia pranë golit të dytë. Gjuan bukur kroati Aralica, përgjigjet në të njëjtën mënyrë Dajsinani

65′ – Vllaznia e rrezikshme, por Aralica godet keq me kokë topin e ardhur nga krahu i djathtë

49’ – Goooool. Shënon Vllaznia me Victor Da Silvën. Një sulm i shpejtë i shkodranëve nga krahu, me Hakajn që shërben saktë në qendër të zonës për Da Silvën,  i cili gjuan saktë dhe dërgon topin në rrjetën e portës së Dajsinanit. Vllaznia në avantazh 1-0.

 47′ – Starton pjesa e dytë. Brdariç hedh në fushë Da Silvën në vendin e Mustedanagic.

45′ – Mbyllet pa gola pjesa e parë në “Loro Boriçi” me të dy skuadrat që ishin mjaft aktive dhe krijuan mundësi, por nuk ia dolën të dërgojnë topin në rrjetë.

39’ – Shtylla shpëton Laçin. Mbrojtësit kurbinas nuk largojnë dot topin nga zona dhe përfiton Aralica, që shumë pranë portës gjuan me të jashtmen, por topi përplaset në shtyllë dhe përfundon jashtë. Të pafat kuqeblutë.

38’ – Guindo provon me një gjuajtje nga distanca, por është qëndrore dhe grushton Zogovic, ndërsa më pas Adili largon rrezikun…

31’ – Çfarë goditjeje nga Aralica. Sulmuesi kroat merr një top rreth 25 metra larg kuadratit dhe lëshon një të djathtë perfekte drejt trekëndëshit të portës, por fluturon Dajsinani dhe grushton në këndore.

19’ – Kërcënon sërish Vllaznia dhe është sërish Latifi, që godet bukur nga distanca, por Dajsinani grushton, teksa më pas asnjë prej kuqebluve nuk arriti të shtyjë në rrjetë topin e kthyer nga portieri i kurbinasve.

12′ – Tjetër sulm i kurbinasve me Zarubicën, që gjen saktë Velijan, por shqiptari i Maqedonisë nuk arrin të godasë nga fare pranë portës.

8’ – Vertikalizim fantastik i Shehut për Velijan, i cili e sheh veten përballë portierit dhe gjuan, por Zogovic bën heroin dhe mban portën të paprekur…

5’ – Tjetër sulm i shkodranëve, këtë herë me një vertikalizim perfekt për Aralicën, por në fund ndërhyn Malota, që largon rrezikun me ndihmën e portierit Dajsinani…

2’ – Mundësi e artë për Vllazninë, por shpërdoron Latifi. Një krosim në zonë gjen kokën e Diagne, që ul bukur për Latifin, por gjuajtja e prishtinaliut është e dobët dhe pritet nga Dajsinani.

 – Starton sfida nën një rrebesh shiu dhe me Laçin që shqelmon topin e parë…

Kurbinasit kanë humbur një nga lojtarët më të rëndësishëm pak minuta përpara nisjes së sfidës. Mentor Mazrekaj është rrëzuar para se të dalë në nxehje dhe nuk është në gjendje të zbresë në “Loro Boriçi”. Trajneri Mirel Josa ka zgjedhur Bashkim Velijan në vend të sulmuesit të majtë dardan.

Formacionet zyrtare:
Vllaznia (4-2-3-1): Zogovic; Gurishta, Diagne, Adili, Hakaj; Krymi, Jonuzi; Latifi, Mustedanagic, Hoxhaj; Aralica
Laçi (4-3-3): Dajsinani; Roganovic, Ignjatovic, Malota, Ziko; Deliu, Qato, Shehu; Velija, Zarubica, Guindou

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency